Biznesmeni që pretendon të marrë Vllazninë në administrim dhe të marrë postin e presidentit, pikërisht Agron Çela ndër disa kërkesat që ka parashtruar ndaj Bashkisë Shkodër për marrjen e klubit, ka edhe një, atë më kryesorin që është marrja e Vllaznisë pa asnjë borxh. Që do të thotë se ai do të fillojë të hedhë paratë e tij në të njëjtën kohë me Bashkinë duke filluar nga data 15 janar e në vazhdim. Themi kështu ngaqë kjo punë pritet të marrë fund pikërisht nesër. Detyrimet e mëparshme të klubit shkodran do t’I mbesin institucionit të pushtetit lokal.
Për ta bërë këtë, sigurisht që në një mbledhje tjetër, pse jo edhe atë të nesërmen por me shumë mundësi në mbledhjen e fundit të këtij muaji, krerët e Bashkisë do të shtrojnë për miratim në Këshillin Bashkiak një kërkesë për miratimin e një fondi shtesë për shoqërinë aksionere Vllaznia. 100 milionëshi që ka miratuar për në fund të janarit, nuk do llogaritet sepse ai është tjetër gjë dhe futet në bashkëfinancimin me biznesmenin Çela.
Borxhet. Me saktësi nuk dihet shuma që mund të ketë si borxh aktualisht klubi I futbollit Vllaznia. Zëra pranë klubi thonë se kjo shumë mund të shkojë deri në 150 milionë lekë të vjetra por e sigurtë është që të paktën 100 milionë lekë janë detyrime të prapambetura. Çfarë futet këtu? Klubi shkodran në muajin nëntor I kërkoi një borxh prej 80 milionësh Federatës Shqiptare të Futbollit ngaqë fondi I akorduar nga Bashkia po vononte. Në arkën e klubit shkodran duhet të ketë një sasi parash aktualisht por kuptohet që nuk mjafton për të larë borxhin e federatës. Përpos kësaj, edhe duke e marrë të mirëqenë gjobën prej një rrogë e gjysëm mujore për të gjithë futbollistët, I bie që gjysma e rrogës së dhjetorit të jetë e papaguar. Po ashtu edhe gjysma e rrogës së janarit do të shkojë sërish për llogari të Bashkisë. Trajneri Duro nga ana e tij thuhet se ka dy muaj pa u paguar dhe përpos kësaj kërkon dëmshpërblim në rast se e shkarkojnë. Edhe kjo shumë do paguhet nga Bashkia. Sikur të mos mjaftonin këto, disa prej futbollistëve kanë për të marrë këste të kontratës dhe ata janë shtyrë për në janar prandaj sigurisht që edhe ato do të futen si pagesë të këtij institucioni. Pa përmendur edhe ndonjë borxh tjetër që klubi Vllaznia u ka aktualisht të tretëve. Në kushte të tilla, edhe pa u bërë mirë llogaritë, shuma që Këshilli Bashkiak Shkodër duhet të miratojë si shtesë fondi për larjen e këtyre borxheve, e kalon 100 milionëshin.
Çela. Biznesmeni I njohur ka marrë përsipër një rrisk jo të vogël financiar. Ai do hedhë I vetëm 300 milionë lekë në një vit (kur Bashkia do hedhë 200). Në kushtet e sotme është një sakrificë e madhe megjithatë ai ka vendosur ta bëjë këtë gjë për Vllazninë dhe tifozët shkodranë. Ndoshta ngaqë e ka lënë këtë punë përgjysëm në vitin 2006. Agron Çela megjithatë dëshiron ta nisë nga pika zero. “Unë do ta marr përsipër administrimin e klubit Vllaznia pa asnjë borxh, pa asnjë detyrim të tij nga e kaluara. Ky ka qenë kushti I parë që I kam vënë Bashkisë Shkodër që në bisedat e para të zhvilluara dhe kjo është pranuar nga drejtuesit e saj”. Kësisoj tashmë gjërat nisin nga e para. Të paktën në aspektin financiar. Në atë sportiv, gjërat nisin nga mesi dhe duhen çuar në fund.
Gjergj KOLA