Pasioni për sportin vazhdon të jetë gjithnjë prezent tek ai. E konsideron një pjesë të rëndësishme të jetës, pavarësisht se tashmë është deputet i Parlamentit shqiptar dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Agrare Ambjentaliste. Agron Duka, ish- volejbollisti i njohur i Erzenit të Shijakur, gjen kohë të ndjek ndeshjet e volejbollit. Kuptohet, ato më interesantet dhe për rrjedhojë, ka ndjekur dy ballafaqimet e fundit në mes ekipeve të Partizanit dhe Vllaznisë, të vlefshme këto për turin gjysmëfinal të kampionatit. Ai ka qenë prezent edhe në ndeshjen e parë në “Asllan Rusi” por edhe dje në Shkodër, në ndeshjen e dytë.
Në fund të këtij takimi ka pranuar të japë një prononcim për televizionin Rozafa duke dhënë në fund edhe një mesazh për atë se çfarë duhet të bëjë politika që sporti të ngjitet në nivele të larta.
-z.Duka jeni këtu i pranishëm si politikan apo si ish-sportist?
-Jo jo, nuk dua ta përfshij politikën këtu. Kam ardhur si një ish-volejbollist për të ndjekur një ndeshje të bukur.
-Ju pëlqeu ndeshja e zhvilluar këtu në “Qazim Dervishi”?
Shumë ndeshje e bukur. Edhe e para ka qenë e bukur. Kemi të bëjmë me ekipe të denja për njëri- tjetrin.
-Sipas jush, kush është më pranë finales tashmë?
-Nuk di ta them me siguri. Kjo është edhe si të marrë loja. Kam përshtypjen se në këtë ndeshjen e Shkodrës kishte pak emocione që ndikuan negativisht tek ekipi i Vllaznisë nisur nga prania e tifozëve të vet.Në Tiranë luajti shumë më mirë sesa këtu. Kështu që mund të ndodhi ajo që mund të fitojë sërish në Tiranë Vllaznia.
-Krahasuar me kohën kur ju vetë keni luajtur volejboll, a mund të na jepni një mendim për volejbollin aktual, ka rritje të nivelit të tij apo rënie?
-Gjykoj që ka rritje. Lojtarët nga 2 metra që janë sot, në atë kohë nuk ekzistonin. Edhe Vllaznia ka patur lojtarë shumë të mëdhenj në atë kohë si Xhino Mjeda, Mark Kroqi, Irfan Boriçi etj, por lojtarë si numri 14 (Anton Qafarena) kanë qenë të rradhë në Shqipëri.
-Tashmë një pyetje të fundit si politikan. Çfarë duhet të bëjë politika që pallatet e sportit të mbushen sërish me tifozë siç ndodhi sot (dje) dhe niveli i sportit në Shqipëri të vazhdojë të rritet?
-Unë mendoj se duhet korigjuar ligji për sportin sepse sportet që janë defiçitare nuk kanë mbështetjen e duhur nga shteti si në infrastrukturë ashtu edhe në shpërblime. Nëse do të ketë mbështetje më të madhe, gjykoj se këto lojtarët me dorë kryesisht, volejbolli, basketbolli, do të ecin shumë më përpara.
Gjergj KOLA