Vllaznia-Tirana ishte kryesfida e Superiores në javën që lamë pas. Klasikja përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të bardhebluve e ndërsa kishte edhe ndonjë episod të dyshimtë arbitrat.

Por, ish-gjyqtari shkodran, Agron Kastrati e cilëson si perfekt arbitrimin e Cjapit ditën e shtunë në “Loro Boriçi”. Sipas tij për këtë duel ai ka një notë shumë pozitive.

Kastrati tha: “Ndeshja ishte me një ritëm të ulët nga ana e dy skuadrave dhe kjo ia bëri ndoshta edhe më të lehtë menaxhimin e ndeshjes arbitrit. Shumë thonë se kishte episode të dyshimta, siç mund të ishte një penallti në favor të Vllaznisë. Ku iu ndërhy nga pas ndaj Çobes.

Për mua dhe ashtu siç e tregojnë edhe pamjet gjithçka ishte korrekte. Ndërhyrje e mbrojtësit të Tiranës është totalisht e pastër dhe në top e nuk kq nevojë për diskutime. Cjapi zhvilloi një ndeshje të një niveli të mirë dhe kjo duhet vlerësuar. Megjithëse më bën përshtypje se si nuk kishte një arbitër me stemën e FIFA-s për klasiken.

Pavarësisht se siç e theksova arbitri ishte shumë i saktë. Dhe nuk kishte mundësi që asnjë ekip ta përdorte si alibi faktin se arbitri ka qenë i një anshëm me njërën apo tjetrën palë”.
Endri ÇINARI