Erzeni-Vllaznia e përfunduar në rezultatin 3-2 ditën e djeshme kishte edhe disa episode të dyshimta që sollën disa polemika. I ftuar në Star Sport mbrëmë ishte edhe eksperti i gjykimit, Agron Kastrati. Sipas tij gjyqtari Cjapi gaboi në rastin e golit të anulluar për Malen e ndërsa ishte i saktë në akordimin e golit të dytë të Erzenit.

Kastrati u shpreh: “Ishte një ndeshje me intensitet për arbitrin Cjapi që ndoshta nuk zhvilloi performancën e tij më të mirë. Në rastin e golit të Males në pjesën e parë mendoj që ai gaboi duke e anulluar. Pse e them këtë ?
Kjo pasi Balaj po shkon në drejtim krejtësisht të kundërt me gjuajtjen e Males.

E po ashtu portieri hidhet në krahun ku shkoi gjuajtja. Pra kjo tregon se portieri e ka pasur pamjen e qartë dhe nuk është ndikuar nga lëvizja e sulmuesit të Vllaznisë. Besoj se gjyqtari kryesor është ndikuar shumë nga dhoma e VAR sepse në momentin e parë ai e akordoi gol.

Në rastin e golit të dytë të Erzenit them se aty ka vepruar saktë. Pavarësisht se pretendohet se është pozicion jashtë loje nga ana e Vllaznisë, unë nuk e mendoj të tillë. Kjo pasi sulmuesi i Erzenit është në gjysmë fushën e tij dhe niset përtej vijës së mesit të fushës.

Them se gjyqtari aty ka vepruar drejtë megjithëse pamja që ofrohet është diagonal dhe ne mund ta gjykojmë vetëm nga lëvizja e këmbëve të futbollistëve”.
Endri ÇINARI