Agustin Kola është shfaqur së fundmi përkrah presidentit Halili duke ndjekur Tiranën përballë Kukësit përkrah tij dhe në rolin e një këshilltari të presidentit, së bashku me Blendi Nallbanin.
Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, një nga futbollistët legjendë të Tiranës komenton gabimet e futbollistëve në fushë, të trajnerit Mema në stol, por nuk ngurron ta thotë fjalën e tij edhe kur përballë ka një mendim të profesor Sulejman Memës. Madje, replikon me të dhe me Astrit Hafizin duke kujtuar periudhat kur kanë qenë te Tirana.
E ndoqët Tiranën si këshilltar i presidentit Halili, si ju duket ky ekip që bën “dhurata” në sulm duke shpërdoruar raste flagrante dhe në mbrojtje që gabon dhe pëson?
Unë e nis me ndërrimet e trajnerit. Ardin e kam si vëlla dhe e dua fort, por sugjeroj të mos bëjë gabime të tilla me zëvendësimet. Të largosh Mavejenë, mendoj se është si të zëvendësojë Juventusi Ronaldon apo sikur t’i heqësh Barcelonës Mesin. Në këtë moment ai është nga ata lojtarët që po kontribuon dhe po nxjerr ekipin nga situata. Apo edhe për Kobinanë që gjithashtu e largoi.
Ama, duhet thënë edhe që skuadra ka luajtur mirë, ka prodhuar futboll, bën raste dhe qarkullon. Nuk mund t’i mohojmë këto merita. Pastaj analiza ime bie mbi lojtarë si Hoxhallari dhe Doka për faktin se janë futbollistë të akademisë dhe e dinë më mirë se kushdo tjetër se çfarë është ‘Tirona’.
Ata duhet të luajnë 100 herë më fort se çdo lojtar tjetër në fushë, jo më që të bëjnë gabime. I duam në fushë të japin zemrën e ta mbajnë peshë skuadrën. Ua them atyre dhe juve, të gjithëve me garanci dhe bindje të plotë që për situatën aktuale, të tjerët nuk kanë ekip më të mirë se Tirana. Harrojeni!
Por profesor Sulejman Mema, ndër të tjera, në analizën e tij thotë se “Tirana ka lojtarë mediokër në çdo repart”. Jeni dakord me fjalët e tij?
Shikoni, sipas meje ai gol i pësuar ishte si pasojë e një mendjemadhësie të Dokës që tentoi të bënte diçka të mirë, në vend që të nxirrte topin në rivënie anësore. Po ju them në të njëjtin kontekst, edhe Kaseres me Juventusin nuk e nxori sferën jashtë, e futi në lojë, më pas e humbi dhe po ai aksion u pësua gol.
E njëjta mendjemadhësi. Referuar pyetjes që më bëtë, unë analizën e bëj me futbollin që është sot, jo me historinë. Krahasimet i bëj me ekipet e sotme. Ama për Sul Memën, Hafizin e të tjerët nëpër studio, më vjen keq që kur janë brenda te ‘Tirona’, nuk bëjnë asgjë. Nuk i thonë asnjë fjalë presidentit. Ndërsa kur ikin nga aty, shajnë. Nuk është burrni që muhabetet e shtëpisë t’i nxjerrësh rrugëve.