Një rrëfim vërtet interesant ishte nga Agustin Kola për emisionin “Exlusive”. Atje është folur shumë mbi kohërat e vjetra te Tirana, por njëkohësisht edhe duke bërë njëfarë krahasimi mes futbollit të atëhershëm me të sotmin.
Sipas Kolës, futbolli është luftë, aqsa i ka thyer krahun vëllai të madh në lagje dhe të voglit shpatullën. Njëkohësisht Kola ka bërë edhe një rrëfim epik për të treguar një përplasje në fushë me Din Zhegën e Shkodrës që tregon më së miri se për çfarë futbolli flitej.
“Kam gjetur te Tirana shumë sportistë në super nivel. Këto të vjetrit i afronin djemtë e rinjë që punonin, jo si sot, që kanë inat se i zënë vendin. Unë i rrija afër të vjetërve dhe për të marrë eksperiencën. Jo për servil më kupton, por ka qenë ajo shprehja: “Ustait vidhja zanatin, se nuk ta fal”. Prandaj u rrija nga mbrapa dhe në vitet 80 u stabilizova te Tirana. Ka qenë luftë, luftë, luftë. Sporti është luftë ashtu si edhe jeta, e shihni vetë, nuk ka gjë të lehtë.
Ajo imja ishte luftë e fituar me djersë, jo me armë. Luante Tirana-Vllaznia në stadiumin Dinamo. Kërcej me kokë ndaj Din Zhegës dhe i thyej hundën. Në tokë kishte vetëm gjak dhe më kap me dorë. Mendova me vete që më ra tani. Por më tha: “Bravo të qoftë. Kështu luajë, mos hap rrugë”. Ky pra ishte futbolli, jo si këta sot. Kundërshtar e kisha Zhegën hë, ta theksojmë këtë. Mua më kanë pasur inat në Vlorë se ne fitonim dhe bëja gola.
Por miqtë më të mirë i kam vlonjatë. Vdisnin për ne dhe na donin shumë vetëm për grupin që kishim atëherë. Na shihnin në rrugë dhe mbaronin pas neve, megjithëse “na urrenin”. Kjo është, fusha është luftë, unë vëllai të madh i theva gjurin në lagje dhe të voglit i kam thyer shpatullën”, tha Agustin Kola. /SHKODRA-SPORT.COM/