Me skemën e re është e vështirë të flasësh për favoritë, por pas fazës së parë është krijuar një ide më e qartë mbi ekipet. Nëntori është gjithashtu muaji i Kombëtares ku të gjithë presim të marrim zyrtarisht biletën për në “Euro2024”.

Agustin Kola, legjenda e klubit të Tiranës, ish lojtari i famshëm i Kombëtares, në një intervistë për News24, për emisionin Sport News të moderuar nga Trevisa Tufa, foli për situatën në shtëpinë e bardhebluve, çështjen “Shehi”, por analizoi edhe ecurinë e përfaqësueses kuqezi në drejtimin e Sylvinho-s:


-Profesor, të gjithë prisnim një dominim të Tiranës, ka në përbërje lojtarët më të mirë në qarkullim, por po ndodh e kundërta, po në fushë po shohim një ekip që po has vështirë. Çfarë po bëjnë keq te Tirana?

Ky ndryshimi i trajnerëve është pak problem, për çdo trajner të ri që do të vijë. Tiranën e kam parë mirë, nga fillimi i kampionatit deri më sot. Jo se i mungon loja, ka pasur edhe probleme me dëmtimet, por dhe stoli duhet të jetë pak më i fortë. Çfarë të them më shumë për Tiranën se më dhimbset.

-Nuk po jep efekt as pezullimi i Shehit, a vepruan drejtë në këtë rast?

Në futbollin shqiptar, kur trajnerët janë tek ekipi thonë jemi mirë, kur largohen flasin. Më vjen keq për atë djalë (Shehin), me thënë të drejtën, kam respekt për të, djalë i mirë. Kishte komunikim të mirë edhe me presidentin. I jam afruar Tiranës në momente të vështira, mi kanë pranuar këshillat.


-A është e vështirë një lëvizje të tillë mes dy ekipeve rivale. A ndodhte kjo në kohën tuaj?

Kur luanim ne futboll dikur, ka pasur probleme të tjera. Nuk kishte shumë ndryshime trajnerësh. E nisje me Tiranën e mbyllje me Tiranën. Sot është ekonomi tregu, mund të shkojnë trajnerët kudo. Nuk është problemi iku Shehi për të shkuar te Partizani, nuk është kjo, as trajneri nuk e le ekipin në baltë. Janë probleme të brendshme që ne nuk i dimë.

-Profesor, nëse do ishit në vend të Shehit, do e pranonit një ofertë të tillë?

Unë e kam thënë gjithmonë, nuk do ta pranoja kurrë. Unë kam respekt për Partizanin, sot është ekonomi tregu, nuk e them për mburrje. Më kanë kërkuar edhe në atë kohë, kur mora Tiranën 9 pikë pas dhe e nxora kampion. Kështu jemi rrit ne, është çështje fanelle. Ne e nisnim me Tiranën e mbyllin me Tiranën. E filloje me Partizanin, edhe pse ata i merrnin lojtarët tanë, se shkonin ushtar, ishin të detyruar, por e mbyllje me Partizanin. Jemi rritur me atë frymë. Me kanë kërkuar edhe përpara shumë kohësh, i kam falënderuar, por nuk mundem, është çështje geni.

-Duket sikur është zbehur pak roli i trajnerit, Partizani luan pa një trajner, por fiton katër ndeshje radhazi, shumë shkarkime gjatë fazës së parë, pse vjen kjo?

Partizani pse ka ecur, sepse kishte një trajner të huaj, trajnerët e huaj janë profesionistë në përgjithësi, nuk pranojnë ndërhyrje. Kjo ishte vazhdimësi e punës që ka bërë trajneri gjatë gjithë vitit (Zekic). Një trajner duhet ta marrë ekipin kur mbaron kampionati, të zgjedh lojtarët, të ndërtojë grupin, pastaj nëse gabon jep dorëheqjen. Nuk i vjen faj trajnerëve të rinj, për këto ndërhyrje në mes të kampionit, nuk janë zgjedhjet e tyre.

-Cili është ekipi që të ka befasuar më shumë?

Egnatia, një surprizë e bukur. Luajnë futboll për t’u marrë shembull. Nuk e njoh fare presidentin e tyre, por bravo, luajnë futboll.


-Ndryshe nga futbolli vendas, roli i trajnerit merr shumë kuptim në ekipin kombëtar, Syvlinho duket si një bekim për Shqipërinë në këto momente, a është trajneri më i mirë i huaj që ka pas ekipi përfaqësues?

Gjithmonë Kombëtarja ka pasur trajnerë të mirë. 5% më shumë 5% më pak, gjithnjë ka pasur trajnerë korrekt. Në botë nuk duan t’ia dinë për ngjyrat, je i bardhë, i zi apo i kuq, je i mirë, luan. Shumë lojtarë tonë luajnë jashtë, kanë ecur, sepse punojnë atje, për këtë arsye ecën edhe Kombëtarja. Në kohën tonë thoshin “Jugosllavia e madhe”, “Brazili i Evropës”. Shihi tani, kemi lojtarë që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, kemi dhe lojtarët tonë, talente që shkojnë jashtë, shumë mirë e bëjnë sepse bëhen të mirë për Kombëtaren. Edhe trajnerët janë shumë korrekt, të gjithë trajnerët kanë qenë të mirë.


Çfarë vlerëson më shumë te Sylvinho?

Te Sylvinho vlerësoj lojën braziliane, mbajtjen e topit, nuk e humbasin topin lehtë. Po t’i shohësh me përqindje, kur jepen statistikat, sheh mbajta e topit 70%, kjo është gjë shumë e mirë. Sheh dhe shumë çuna të rinj që luftojnë, ai fut ato që meritojnë, sepse do të nxjerr në pah edhe punën e tij. Ndërsa në shqiptarët, hiq këtë, fut atë, në futboll nuk ka me hatër.


-Profesor, ju keni qenë pjesë e një brezi fantastik lojtarësh në Kombëtare, tifozët bëjnë shpesh krahasime, sigurisht janë kohë të ndryshme, por a është ky ekipi me nivelin më të lartë që ka pasur Shqipëria, në të gjithë komponentët?

Kam filluar të luaj futboll që 16 vjeç në Superligë, ky është nga ekipet më të mira. Flasin vetë këmbët e lojtarëVE, po e shohim në fushë. Ne shqiptarët mezi presim që ekipi të humbas, kur rrihemi merremi dy muaj, do nxjerrim kleçka.


-Kë do veçoje, kush është ai lojtar që të ka pëlqyer më shumë?

Në futboll është grupi. Unë kam qejf Mitaj, është djalë i ri, por të gjithë janë shumë të mirë, nga Asani, të gjithë, janë grup shumë i mirë.

-A është ky brez, kjo stil loje, nisja e një cikli të ri, a mund të bëjë Shqipëria ndonjë surprizë në Gjermani?

Surpriza kjo është, të arrijmë deri këtu, të kualifikohemi. Shihni sa na ndjekin, këto tifozët tanë janë të mrekullueshëm. Shoh ndonjë herë në stadium, në tribunë, ata nuk janë tifozët e vërtetë, janë tifozë, duan që të fitojë Shqipëria, por jo si këto të tjerët që japin shpirtin. Tifozi është lojtari i 12 i ekipit.