Kampionati shqiptar po shkon drejt fazës së nxehtë të tij, asaj që do të përcaktojë luftën për titull, por edhe për mbijetesën. Dhe Julian Ahmataj beson se gjithçka është e hapur për shkak të mungesës së diferencës mes ekipeve, në të dy kahet e tabelës.
Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, trajneri i njohur i cili aktualisht drejton Kombëtaren U19 ka shpjeguar se vetëm një ekip po bën diferencën, Egnatia kryesuese. Ahmataj ka theksuar se janë kërkesat e lojtarëve ato që shpesh diktojnë edhe largimet nga klubet përkatëse, si në rastin e Partizanit.
Juli, pyetja që shtrojnë të gjithë, kush mund të ndalë Egnatian? Çfarë ka ndryshe ky ekip?
Është stabilizuar loja dhe manovrat e kësaj skuadre. Në këtë sezon, pas shumë ndryshimesh, pati disa momente jo të mira. Tani që po flasim, gjërat janë rregulluar dhe po bën diferencën me ekipet e tjera. Egnatia bën diferencën me ekipet e tjera për mënyrën se si e zhvillon një ndeshje futbolli.
A është Egnatia favoriti kryesor për të fituar titullin?
Padyshim se është fituesja në fuqi dhe është kandidatja kryesore. Mendoj se edhe skuadrat e tjera kanë mundësi. Partizani ishte goxha favorit në pjesën e parë të kampionatit, por bëri disa ndryshime në ekip dhe i duhet kohë.
Pse e kanë kaq të vështirë ekipet elitare të kopjojnë Egnatian? Nuk e vlerësojnë më titullin? Nuk duan të shpenzojnë? Duket sikur mjaftohen vetëm me Europën dhe të shesin ndonjë lojtar…
Gjithmonë futbolli është i lidhur me rezultatet dhe financat. Duhet koordinim, nuk varet gjithmonë nga klubi. Ka raste që varet edhe nga lojtarët. Për shembull futbollistët që kanë luajtur shumë vite për Partizanin nuk kanë më çfarë të japin në Shqipëri, pasi preferojnë një eksperiencë jashtë. Klubet ndonjëherë janë në presion që t’i lenë ata të lëvizin. Jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga ana morale. Klubi nuk mundohet t’i pengojë, në mënyrë që ata të zhvillojnë karrierën e tyre.
E bëj këtë pyetje duke iu referuar edhe Partizanit, shiti thuajse të gjithë lojtarët kryesorë, të vetëdijshëm që do ndikojë në garë. A e sheh sot Partizanin si një rival që mund të konkurrojë për titull?
Partizani nuk i bëri zgjedhjet nga ana financiare, por ka të bëjë edhe kërkesa e lojtarëve që të lëvizin. Plani B duhet të jetë gati. Final Four të jep shansin që me diferencën e pikëve që kanë me kundërshtarët, të jep qetësinë për të krijuar atë mënyrë loje që ti dëshiron. Me ato lojtarë, Partizani humbi titullin vjet. Në momentin që do e humbiste edhe këtë, do ishte e humbur edhe nga ana e të ardhurave të lojtarëve, ndërsa nuk do e fitonte dot as titullin.
I ndryshëm duket diskutimi për Vllazninë dhe Dinamon, dy klube që nuk shitën lojtarë, por as nuk kanë investuar, Daja për shembull e tha hapur që priste afrime nga janari. Si e sheh sot ti Dinamon, a i ka numrat Ilir Daja për të synuar titullin, apo dhe prezenca në Europë mjafton këtë sezon?
Të gjitha skuadrat janë të denja për ta fituar titullin. Aty mund të ishte edhe ndonjë ekip që është poshtë, si Laçi apo Tirana. Final Four ka një specifikë, kur bën ti dy ndeshje perfekte, rivali ndoshta nuk është në moment të mirë dhe mund të përfitosh. Çdo ekip që shkon në Final Four, ka shanse për të fituar titullin.
Në një situatë shumë të vështirë mbetet Tirana, mjafton ajo fitore ndaj Skënderbeut për t’u ndjerë të sigurt? A mendon se ka kaluar tashmë rreziku?
Në disa ndeshje nuk ka marrë atë që ka prodhuar në fushën e lojës. Mendoj që duhet të kishte më shumë pikë nga çfarë ka marrë. Ka patur disa barazime në fund dhe kanë qenë disa situata që mund të ishin evituar. Kjo, solli ato ndryshimet e tepërta në staf, largimi i Shkëmbit, ardhja e Maganit. Të dy janë trajnerë profesionistë, por në futboll e rëndësishme është koha që ke me lojtarët dhe periudha që kanë lojtarët bashkë. Futbolli është kimi. Te Tirana pati ndryshime dhe këto ndryshime sollën oshilacione. Po vjen duke u përmirësuar pjesa e aspektit të lojës. Tani po futet në rrugë të mbarë dhe besoj se do rivalizojë me të gjithë. Besoj se do ia dalë.
Flasim shumë për titull, për garën në Final-Four, por një garë edhe më e fortë po zhvillohet për mbijetesë. Kush rrezikon, kë sheh më të rrezikuar këtë sezon?
Mbijetesa është e çuditshme. Ka ekipe në zonën poshtë që kanë stabilitet dhe kanë marrë disa rezultate pozitive. Ekipet poshtë kanë periudhat e veta të krizave që zgjasin më shumë se ato të kreut, padiskutim që ka patur rotacion dhe shumë vështirë të ndash kush do bjerë e kush do qëndrojë. Kemi parë Bylisin e Laçin që kanë qenë poshtë dhe kanë dalë lart. Kemi parë një moment që kemi parë Tiranën lart. Këto dinamika mund të ndryshojnë që në javën e ardhshme, ose pas dy javësh. Nuk ka disnivel mes ekipeve të para dhe të fundit.