Ka lindur në Shkodër, më saktë në lagjen Kiras, më 16 maj 1923. Sportin do ta fillonte shumë herët, që në moshën 6 vjeçare në fushën e Lamijeve. “Shkoja të ruaja delet dhe aty gjej duçare eke luajtur disa shokë si Ragip Vajushi, Nuh Vajushi etj.

Nga dëshira që kisha për të luajtur futboll, I them Ragipit a mundem me luajt me to? Ai më thotë që duhet të paguash një gjysëm korone ngaqë duam të blejmë fanellat me të cilat do të luajmë. Unë ja pagova dhe ai më futi të luaj si portier. Qysh atë ditë, ëndërroje se si mund të bëhesha futbollist”.

Familja e tij për ta hequr nga puna e çobanit, në moshën 8-9 vjeçare e çojnë në Tiranë për të kryer shkollën fillore. Në moshën 14 vjeçare aim baron shkollën fillore dhe Besim Qarri e çon për të luajtur në skuadrën “Dëfrimi” të Tiranës. Në vitin 1939, pra në moshën 16 vjeçare Ahmetit I del bursa për të studiuar në shkollën bujqësore të Kavajës.

“Këtu çdo mbasdreke luanim futboll dhe unë aktivizohesha si portier. Në vitin 1940-41 na thërrasin për t’u aktivizuar me skuadrën e Kavajës me Sejdin Avdinë dhe Abdulla Stërmasin. Në stërvitje ishin dy trajnerë italianë. Pas stërvitjes mua dhe një kavajas na ndanë mënjanë dhe në anën tjetër Ramazan Njalen, portierin e Durrësit dhe Abdulla Stërmasin.

Më pas u vendos që të shkriheshin ekipet e Durrësit dhe të Kavajës dhe të krijonin një sëbashku sepse ishte më I mirë. Në vitin 1940-41 luajta  luajta si portier I parë me Kavajën. Në vitin 1941-42 u përfaqësua Durrësi në kampionat dhe me këtë ekip luajta në fazën e parë. Në fazën e dytë kam ardhur në Shkodër ku kam gjetë portier Fahri Jubanin, prandaj luajta rezervë.

Në kampionatin e vitit 1942-43 kam luajtur si portier I parë bashkë me Xhevdet Shaqirin, Muhamet Dibrën, Mithat e Sami Bushatin, Isuf Pelingun, Tahir Pukën, Fahri Fanin, Mustaf Nehanin, Hysni Tivarin, Bahri Kavajën, Hamdi Bakallin, Medo Cuciqin, Rifat Cufjen, Zef Berishën, Injac Gjelucin, Ndue Palin, Pjerin Radovanin, Qazim Laçej, Prek Gjeloshi, Loro Boriçi, Met Vasija, Ernest Halepjani, Adem Smajli, Dod Tahiri, Muc Koxhja, Lufti Laçja, Lac Kini, Lutffi Hoxha, Bimo Fakja, Shaban Abdija, Xhelal Juka etj, që janë një brez I shkëlqyer I futbollit shkodran”- kujton në shënimet e tij Ahmet Nuti.

Disa nga emrat e mësipër I përkisnin fushës së Lamijes (lagja Kiras) si Xh. Shaqiri, M. Dibra, B.Kavaja, Harap Shkreli, H. Bakalli, Rasim Basha, Maliq Kraja, Qazim Rexhepi, Xhel Kraja etj. Nga familja e Ahmetit  edhe pesë vetë të tjerë janë aktivizuar me futbollin dhe pikërisht Braho Shpuza, Osman Shpuza, Ahmet Shpuza (Nuti), Hasim Shpuza, Luan Shpuza me të rinjtë e Vllaznisë, Koplikun dhe SK Shkodrën si dhe Zamir Shpuza me Vllazninë si dhe në kategorinë e dytë të Gjermanisë por edhe me kombëtaren shqiptare.

Karriera e Ahmet Nutit:
“Qysh në vitin 1942 dhe deri në vitin 1952 kam luajtur me Vllazninë pa ndërprerje. Jam ndër portierët e parë që kam përfaqësuar vendin tonë në takimin miqësor me kombëtaren e Jugosllavissë bashkë me Bimo Fakjen, Prek Gjeloshin, Met Vasijën e ndonjë tjetër. Portier rezervë ka qenë Halil Laçej.

Meqenësë në pingpong kam qenë ndër të parët në Shqipëri, na caktuan bashkë me Loro Boriçin për të luajtur edhe pingpong sepse jugosllavët kishin kërkuar ndeshje edhe në këtë sport përveçse në futboll dhe unë luajta bashkë me Loron. Mbasi jam kthyer nga Beogradi pra më 1945, kam gjet në Shkodër një portier tjetër, Dodë Tahirin me të cilin skuadra kishte luajtur në miqësoren ndaj Pejës.

Në ndeshjen ndaj ekipit kombëtar jugosllav në Beograd unë kisha hangër 11 gola dhe erdha prej andej I demoralizum, megjithatë unë luajta në disa ndeshje por më pas, isha rezervë. Ndodhi kështu deri në fund të vitit 1947 kur Doda iku në Jugosllavi dhe që nga kjo periudhë e deri në vitin 1952, kam qenë sërish portier I parë I Vllaznisë.

Kolektivi me të cilin unë kam luajtur ka qenë I mrekullueshëm. Kjo asht e zakonshme me lavdëru shokët por e vërteta asht kështu. Në një shëtitje si shumë të tjera që banim në Drisht, filluam të bajmë kërcim së larti tuj lidh rripat bashkë. Mu ma kalonin të tanë e shkaku ishte se kërceja gërshanë. Ndërrova stil, u ktheva në kërcimin me bark dhe me këtë stil I kalova të gjithë duke dalë I pari.

Një ditë duke ba stërvitje në fushë, aty banin stërvitje edhe atletët. Njëri nga shokët I thotë trajnerit të atletikës që ishte Zef Hila, mere Ahmetin se kërcen shumë dhe na e ka kalu të tanve. Meqenëse mu lut shumë, aq sa më turpëroi, kërceva nja 5-6 herë dhe arrita me e çu stekën në 1.55 m e kjo për trajnerin ishte gja e madhe”- ka shkruar ai në kujtimet e tij.

Karriera e Ahmetit Nutit kësisoj nuk I përkiste vetëm futbollit. Kujtimet e tij vazhdojnë sërish kur shkruan: “Kam marrë pjesë në disa gara atletike si në kërcim së larti, me shkop, hedhje gjyle, grenade, disku, shtize, kërcim së gjati dhe trehapësh. Të gjitha këto si në garat kombëtare ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Në vitin 1947 kam përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Rumani pikërisht në garën e kërcimit së larti ka shkop.

Po ashtu, kam qenë edhe volejbollist I përfaqësueses së Shkodrës për disa vite. Kam përfaqësuar Atdheun me ekipin kombëtar në Sofje të Bullgarisë bashkë me Masar Agen, Ramazan Njalen, Faj Çelkupen etj. Kam qenë ngritës peshash dhe kam zënë vendin e dytë pas Osman Casllit në Tiranë në kampionatin kombëtar. Kam përfaqësuar Shkodrën në hendboll bashkë me Xhelal Jukën dhe Shuajp Cufjen etj.

Kam dalë I dyti në kampionatin kombëtar të gjimnastikës në vitin 1950 teksa vendin e parë ma mori Sami Bejtja që ma vonë u ba profesor në Insitutin e Fiskulturës. Dikush mund të thotë si ka mundësi që je marrë me kaq shumë lloje sportesh? Përgjigja është e qartë: Mbas Çlirimit të vendit, vendi jonë kishte shumë pak sportista.

Meqenëse shteti donte të përfaqësohej me sa më shumë mundësi që kishte në shumë aktivitete, atëherë u dha e drejta me marrë pjesë në sa lloje të duash sportesh. Në fakt unë kam qenë I gjithëanshëm dhe I përgatitur”. Por jo vetëm kaq. Ahmet Nuti ka qenë edhe gjyqtar sportiv. Ka qenë gjyqtar i kategorisë së parë në atletikë dhe ka gjykuar në Tiranë në kampionatin kombëtar në garat e kërcimit së larti dhe së gjati.

Ka gjykuar në kampionatet e volejbollit, futbollit, boksit, pikërisht si arbitër ringu në takimin Shqipëri- Hungari si dhe në gjithë kampionatet kombëtare. Ka drejtuar në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit me përfaqësuesen e Jugosllavisë në Beograd, me Spartakun e Moskës në Shkodër, me Hajdukun e Splitit në Zagreb, me Malin e Zi mbi 65 ndeshje.

Ka qenë gjyqtar I kategorisë së parë në mundjen e lirë, në mundjen klasike, në peshëngitje e boks. Një gjë vërtetë e rradhë: katër kategori ndërkombëtare si gjyqtar dhe shtatë kategori kombëtare si gjyqtar. Për të gjitha këto merita, ai nuk ka marrë asnjë dekoratë nga Komiteti I Kulturës Fizike dhe Sporteve, asnjë titull Mjeshtër Sporti apo Mjeshtër I Merituar Sporti.

Që nga viti 1946 Ahmet Nuti ka punuar si mësues fiskulture me disa kurse kualifikimi të kryera në Tiranë. Ma vonë ai mbaroi edhe shkollën e fiskulturës dhe si mësues gjithmonë është munduar të punojë me ndershmëri. Jo më kot, ai është shpërblyer vazhdimisht për këtë gjë.

Ka arritur të ndërtojë një shtëpi të vetën e përpos kësaj, është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” e pas marrjes së kësaj medalje, I dhanë edhe një shpërblim prej 500 lekësh rrogë shtesë, çka e lumturuan Ahmetin. Një nga pasionet e mëdha të tij ka qenë ndërtimi I terreneve sportive duke ndërtu të tilla në shkollat Gjimnaz me të gjitha veglat gjimnastikore, në shkollën “Vasil Shanto”, në shkollën “10 Vjetori” në Ajasëm, në shkollën “Xheladin Fishta” etj.

Mbas disa vitesh punë si mësues, është transferuar në klubin sportiv Vllaznia si inspektor I sporteve të rënda e pikërisht I mundjes, peshëngritjes, çiklizmit, alpinizimit, shahut e amatorizim.  Si kuadër sportiv ka patur për 15 vjet në patronazh edhe Koplikun për të zhvilluar të gjithë aktivitet sportive si atletikë, futboll, volejboll etj.

Kjo për të përgatitur sportistë për të marrë pjesë në Spartakiadën e rrethit. Si kuadër sportiv, Ahmet Nuti ka ngritur edhe dy kampe pushimi në Velipojë. I pari ka qenë për ekipet sportive. Këtë inisiativë ai e ndërmorri nga një punëtor I klubit- Kolë Shtjefni I cili e ndihmonte në mbajtjen e çadrave. Bashkë me të ka qenë edhe Bilal Parruca, udhëheqës I qytetit dhe të gjithë sëbashku kanë bërë gjëra të mira për sportin shkodran.

Por, për të gjitha këto merita, Ahmet Nuti nuk ka marrë asnjë dekoratë nga Komiteti i Kulturës Fizike dhe Sporteve, asnjë titull Mjeshtër Sporti apo Mjeshtër i Merituar Sporti.
Gjergj KOLA