Ish-futbollisti i Manchester United nga viti 2007 deri në vitin 2015, Anderson zbulon në një intervistë për mediat braziliane, bashkëjetesën me Cristiano Ronaldo në kohën që të dy ishin pjesë e “Djajve të Kuq”. Anderson, theksoi edhe njëherë kulturën e punës së CR7 duke zbuluar se portugezi zgjohej në orën 6:30 të mëngjesit për t’u stërvitur ndërsa shtoi se së bashku me ta qëndronte edhe portugezi Nani.
“Për thuajse një vit, unë dhe Nani jetuam në shtëpinë e Cristiano Ronaldos. Stërvitja ishte në orën 9:30, por ndonjëherë na duhej të shkonim në 6:30 sepse Ronaldo shkonte gjithmonë më herët dhe stërvitej individualisht. Nani dhe unë më pas flinim në qendrën sportive derisa të vinte ora për t’u stërvitur së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.
Unë e falenderoj shumë Ronaldon për periudhën që qëndrova në shtëpinë e tij pasi ishte sikur të më kishte adoptuar. U larguam pas një viti së bashku me Nanin, por ikëm sepse donim dhe jo për shkakun e ndonjë mosmarrëveshje me Ronaldon. Ai nuk e kishte problem nëse ne qëndronim aty.
Nuk shpenzonim asgjë, prandaj për të mos bërë një figurë të keqe, unë dhe Nani shkonim gjithnjë për të bërë pazarin. E falenderojmë Cristianon sepse na siguroi një shtëpi dhe gjithçka kishte brenda saj, pishinë, palestër, fushë tenisi, xhakuzi. Madje, përfitonim edhe nga kuzhinier në shtëpinë e tij”, u shpreh Anderson.