Akademia e Arbitrimit, një nismë e FSHF-së, ul siparin e edicionit të pare. 75 të rinj e të reja nga Tirana dhe qytete të tjera janë diplomuar sot, në përfundim të dy fazave trajnuese të tyre, në teori dhe praktikë.

Një klasë e re arbitrash është tashmë në dispozicion të kolegjiumeve përkatëse të gjykimit. Prezent në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit, të rinjtë dhe të rejat që ndoqën këtë kurs dhe nisën tashmë një karrierë më vete, atë të arbitrimit:

“Tashmë, prej shumë vitesh, edukimi i të gjitha niveleve të arbitrave realizohet sipas standarteve që kërkon UEFA dhe FIFA. Akademia e Arbitrimit është një shkollë e re, e hapur së fundi për të gjithë ata të rinj dhe të reja, që duan të fillojnë dhe të vazhdojnë profesionin e vështirë, por shume të bukur të arbitrit.

FSHF ka këmbëngulur dhe do të vijojë të angazhohet fuqimisht në të ardhmen për të rritur në maksimum cilësinë e gjykimit në vend. Desha të evidentoj edhe punën e mirë të koordinatorit të projektit, Sokol Jareci, të vetë z.Kastrati, z.Brahja, por edhe të lektorëve të ndryshëm, që ju kanë asistuar gjatë ditëve të trajnimit.

Akademia e Arbitrimit do të pasojë çdo vit me funksionin e saj, gjithmonë në shërbim të pjesës së arbitrimit”. Më pas u realizua ceremonia e ndarjes së diplomave për 75 kursantët e rinj, prej të cilëve 10 ishin vajza.

75 të diplomuarit sot kanë nisur prej kohësh të aktivizohen në kampionatet e moshave dhe do të vijojnë të jenë pjesë e arbitrimit në aktivitetet zyrtare të FSHF-së./telesport/