Faza e dytë e kampionateve të Ligës Amatore në Zonën e Shkodrës nuk ka nisur e plotë. Kjo sepse 9 ekipet e Akademisë Vllaznia i kanë bojkotuar ndeshjet e javës së parë të këtyre kampionateve. Ka ndodhur kështu, pas një vendimi të marrë nga drejtuesit e klubit si rrjedhojë e disa mosmarrëveshjeve të këtij klubi me Zyrën Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit në Shkodër dhe konkretisht me shefin e saj, Hysen Zmijanin. Sipas një njoftimi të bërë të ditur nga vetë klubi Vllaznia, mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me vendin e zhvillimit të ndeshjeve sepse klubi duke patur në dispozicion një fushë shumë cilësore siç është “Reshit Rusi”, ka kërkuar që shumicën e ndeshjeve të ekipeve të veta t’ia luajë aty dhe jo në një kompleks privat.
Për më tepër, që fusha “Reshit Rusi” është edhe një investim i vetë Federatës dhe duke ofruar kushte të mira, ndihmon fëmijët për të treguar vlerat e tyre.
Përveç kësaj pike, një tjetër problem që është krijuar mes palëve duket se ka të bëjë edhe me ndryshimin e skemës së zhvillimit të kampionatit. Zyra Rajonale ka vendosur pikërisht në gjysëm të kampionatit për të zhvilluar fazën e plej- ofit në fund të kampionatit dhe ky vendim është marrë pa njoftuar askënd. Këto arsye por edhe ndonjë pakënaqësi e shprehur më parë nga pjestarë të klubit Vllaznia për shfrytëzim të kupave që janë zhvilluar me moshat nga kjo Zyrë për politikë, kanë sjellë mosmarrëveshjet në fjalë. Drejtuesit e klubit shkodran bëhet e ditur se për këto pakënaqësi kanë njoftuar edhe Federatën dhe për këtë arsye në ditët në vazhdim pritet të ketë një ballafaqim mes palëve për t’i dhënë zgjidhje këtyre gjërave. Deri atëherë, ekipet e Akademisë Vllaznia ende nuk dihet nëse do të vazhdojnë t’i bojkotojnë ndeshjet e kampionateve të Ligës Amatore
© shkodrasport.com