Me dy fitore i kanë mbyllur ndeshjet e javës së tetë të kampionateve të moshave ekipet e Akademisë Vllaznia. Të dy ata kanë luajtur në Lezhë ndaj ekipeve respektive të Portos dhe kanë fituar me të njëjtin rezultat, 1-0. Takimi i parë ka qenë ai në mes 17 vjeçarëve. Ndonëse ndeshja është dominuar nga shkodranët, goli do të vinte vetëm në pjesën e dytë. Ka qenë pikërisht sulmuesi Boriçi ai që ka dërguar topin në rrjetë, duke i dhënë skuadrës shkodrane kësisoj një trepikësh me shumë vlerë që e mban atë sërish në vendin e parë në renditje me 20 pikë.
Po kaq ka edhe Shkëndia e Tiranës dhe duket se do të ketë një rivalitet të fortë në mes tyre deri në fund të kampionatit për vendin e parë në renditje.Ecuria e skuadrës së drejtuar nga trajnerët Lika e Xhahysa ka qenë e mirë teksa në tetë javë kampionat, ajo ka arritur të fitojë 6 ndeshje dhe të barazojë 2, duke mos e njohur ende shijen e humbjes. Edhe golaverazhi i saj është shumë domethënës, me 15 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.Ndërkohë, edhe ndeshja e 19 vjeçarët ka patur rivalitet. Porto është munduar të mbrohet përballë sulmeve të skuadrës shkodrane dhe këtë gjë e ka bërë mirë deri në minutën e 57-të kur Palushani e ka dërguar topin në rrjetë. Gol ky që i ka mjaftuar Vllaznisë për ta fituar ndeshjen dhe me këtë trepikësh, ekipi U-19 që drejtohet nga trajnerët Beqiri e Kaçi, është ngjitur në kuotën e 18 pikëve dhe mban vendin e dytë në renditje me një pikë më pak se Partizani. Edhe ky ekip, ashtu si ai i 17 vjeçarëve, nuk e njeh shijen e humbjes në këto tetë javë kampionat, çka tregon se është edhe ai në rrugën e duhur për të qenë në mes më të mirëve të Shqipërisë në këtë grupmoshë.
© shkodrasport.com