Ndeshjet e javës së tretë të kampionateve të moshave për ekipet e Akademisë Vllaznia janë zhvilluar ditën e djeshme. Arsyeja ka qenë kërkesa e vetë klubit shkodran për t’i ofruar një ditë këto takime në mënyrë që t’i krijohet mundësia ekipit U-19 për përgatitje ashtu si duhet për ndeshjen e “Uefa Youth League” që do të luajë të mërkurën ndaj FC Zimbru të Moldavisë. Në ndeshjet e djeshme te luajtura ne Kamez, ato kanë patur kundërshtare ekipet e Akademisë së futbollit të kryeqytetit.

Takimi i parë ka qenë ai i 17 vjeçarëve dhe shkodranët kanë dominuar duke fituar me rezultatin e thellë 4-0. Golat në këtë takim janë shënuar nga Xhahysa dhe Barbullushi, të cilët e kanë dërguar secili nga dy herë topin në rrjetën e portës kundërshtare.Ndërkohë, Vllaznia U-19 është ndalur këtë javë me një barazim 2-2. Ajo është gjendur dy herë në disavantazh por ka arritur të barazojë në fund. Golin e parë e ka shënuar Isufi në minutën e 75-të dhe pas këtij momenti, arbitri ka akorduar sërish 11-metërsh për Akademinë, I dyti për të në këtë ndeshje por këtë herë ka qenë portieri Kurtula që e ka pritur atë duke mos lejuar rezultatin të shkonte në 3-1. Ky 11-metërsh i pritur i ka dhënë zemër shkodranëve të cilët kanë arritur që në minutën e 88-të kanë barazuar me anë të Hysenajt. Përfundimisht barazim 2-2 dhe Vllaznia U-19 tashmë është ngjitur në kuotën e 7 pikëve pas tre javësh kampionat ndërkohë që tani do të fillojë të mendojë për përballjen e së mërkurës me Zimbrun.

© shkodrasport.com