Akademia e Vllaznisë, me dy grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë dy fitore. Ekipet kuqeblu të U-14 dhe U-15 do të luajnë ditën e sotme përkatësisht ndaj ekipeve të Tiranës, në dy ndeshje “Klasike” të moshave.
Kështu, ekipi U-14, që drejtohet nga trajneri Arben Parmeza, do të presë në shtëpinë e tij për të luajtur ekipin bardheblu. Kjo ndeshje do të luhet në “Reshit Rusi”, duke filluar nga ora 10:00.
Momentalisht, shkodranët renditen në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e shtatë pikëve, në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani.
Ndërkohë që, menjëherë pas tyre, në orën 12:00, po në këtë fushë do të zbresin 15-vjeçarët e këtyre dy ekipeve, Vllaznisë dhe Tiranës. Sa i takon ekipit të Vllaznia U-15, ka pozita më të mira në kampionat, duke u renditur në vendin e katër në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 11-pikëve në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani.
Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë së Vllaznisë, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër edhe nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI