Pas ekipeve U-19 dhe U-17, pasditen e së hënës do të nisin punë të gjithë ekipet e tjera të Akademisë Vllaznia.

Ky është njoftimi i dalë nga klubi shkodran sipas të cilit, në orën 17.00 të gjithë futbollistët e këtyre ekipeve, por edhe të tjerë që duan të bëhen pjesë e kësaj Akademie, duhet të jenë të pranishëm në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Ndërkohë, ende nuk janë bërë publik emrat e trajnerëve që do të punojnë me këto ekipe megjithatë, nga sa mësohet, nuk do të ketë shumë ndryshime me listën e sezonit të kaluar.

Drejtuesit e kësaj Akademie Qashif Hoxha dhe Alban Neziri, kanë marrë të gjitha masat për nisjen e punës dhe mbarëvajtjen e procesit stërvitor ndërkohë që në vazhdim pritet të ketë edhe plotësim të kushteve më të mira për stërvitje, bazë materiale etj.

Në fakt, dy ekipe të tjera të kësaj Akademie, kanë mëse një muaj që kanë nisur punë dhe tashmë ato janë gati për nisjen e kampionatit.

Ndeshjet e para siç dihet, do të luhet ditën e dielë në Shkodër, ku ato do të presin ekipet e Shkëndisë së Tiranës.

Tek Vllaznia U-19 siç dihet, vazhdojnë punën Luan Zmijani e Gjon Kola ndërsa tek ekipi U-17 trajner i parë është Brikeno Bizi që ka si ndihmës Fatjon Kadinë.

Emrat e trajnerëve të ekipeve të tjera do të mësohen pasditen e së hënës megjithatë nuk pritet të ketë risi. Qëllimi dhe objektivi i Akademisë edhe në sezonin e ri padiskutim që do të jetë nxjerrja e elementit cilësor për ekipin e parë.

Një punë që është bërë mirë dhe me siguri do të vazhdojë të bëhet edhe në të ardhmen. Jo më kot, disa prej lojtarëve të dalë nga kjo Akademi, kanë qenë ndër më të kërkuarit e Superiores edhe kohët e fundit.
© shkodrasport.com