Tre skuadrat e Akademisë “Albania Xhudo Kodokan” kanë arritur të marrin 8 medalje në një turne Internacional që është zhvilluar në Malin e Zi i quajtur “Simanoviç”. Aty gara ka qenë shumë e fortë sepse pjesëmarrës ishin sportistë cilësor dhe fitues të shumë medaljeve. Megjithatë skuadrat e Akademisë me qendër në Vau Dejës kanë bërë një paraqitje tejet pozitiv duke arritur edhe rezultate të larta. Në total kanë garuar 13 xhudistë për Akademinë nga të cilët 8 prej tyre janë renditur në vendet e nderit. Pjesë e “Albania Xhudo Kodokan” e drejtuar nga mjeshtri Anton Shkoza ishin skuadrat e Vllaznisë, Vau Dejës dhe “Club Judo”. Për moshat në peshën 28 kilogramë Damiano Çuni i Vau Dejës ka arritur deri në finale por pa mundur të fitojë duke zënë kështu vendin e dytë dhe automatikisht duke marrë medaljen e argjendit. Në peshën 31 kilogramë ka garuar Roland Vasfia i Vllaznisë i cili edhe ky është renditur në vendin e dytë duke fituar medaljen e argjendit. Në peshën 60 kilogramë dy xhudistët Kristamndo Bisha i Vau Dejës dhe Lurjan Kaçi i Vllaznisë kanë humbur duke mos qenë pjesë e medaljeve. Në peshën 64 kilogramë Xhovan Shkoza i Vllaznisë ka marrë medaljen e bronzit duke u pozicionuar i treti. Për këto dy të fundit pala shqiptare pretendon se i është mohuar medalja e arit si shkak i vendimeve të njëanshme të gjyqtarisë. Më tej në peshën 66 kilogramë ka marrë pjesë Luigj Shkoza i Vllaznisë duke marrë medaljen e argjendit. Në peshën 73 kilogramë Xhuljo Kaçi është renditur i dyti duke marrë medaljen e argjendit. Xhudistët e Akademisë kanë qenë të pasuksesshëm në peshën 81 kilogramë teksa Aldo Shkoza i Vllaznisë dhe Enrik Kovaçi i Vau Dejës nuk kanë arritur të renditen në zonën e medaljeve. Në peshën 90 kilogramë Ndoc Ndoci i Vllaznisë është pozicionuar i dyti duke marrë medaljen e argjendit. Edhe për femra xhudistët kanë arritur rezultate të larta. Në peshën 52 kilogramë Anxhela Krasniqi ka marrë medaljen e bronzit duke u renditur e treta. I njëjti rezultat është edhe për Aurora Shkozën në peshën 57 kilogramë e cila është renditur e tretë duke afituar medaljen e bronzit. Shkoza ka patur edhe rolin e trajneres së ekipit bashkë me Anxhelin Dedaj që edhe ky ka patur dy role atë të trajnerit dhe sportistit por tek kjo e dyta nuk ka arritur të jetë në zonën e medaljeve. Ndërsa një çmim special është dhënë edhe për Presidentin e Akademisë “Albania Xhudo Kodokan” Anton Shkoza, një çmim Internacional i dhënë nga ekipi malazez “Club Koga” dhe Federata e Xhudos e Malit të Zi. Akademia “Albania Xhudo Kodokan” vijon të koleksionojë rezultate të larta duke nderuar thuajse në çdo event të rëndësishëm Ndërkombëtarë.

Rezultatet e xhudistëve të Akademisë “Albania Xhudo Kodokan” në turneun Internacional në Malin e Zi:

28 kg Damiono Çuni – Vau Dejës (medalje argjendi)
31 kg Roland Vasfia – Vllaznia (medalje argjendi)
46 kg Xhovan Shkoza – Vllaznia (medalje bronzi)
66 kg Luigj Shkoza – Vllaznia (medalje argjendi)
73 kg Xhuljo Kaçi – Vllaznia (medalje argjendi)
90 kg Ndoc Ndoci – Vllaznia (medalje argjendi)

Femra:
52 kg Anxhela Krasniqi – Vau Dejës (medalje argjendi)
57 kg Aurora Shkoza – Vllaznia (medalje argjendi)