Në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit “e ka lanë nam”. Një shprehje shkodrane që i vjen për shtat një futbollisti lezhjan. Akileu Ndreca ka mundur sot i vetëm Partizanin U19 në ndeshjen e prapambetur të kampionatit.
Ndonëse të kuqtë udhëhiqnin 1-0 pjesën e parë, në të dytën ka dalë në skenë 18 vjeçari i cili ka shënuar tre gola, njëri më të bukur se tjetri duke i dhënë fitoren Vllaznia U19 një fitore të rëndësishme me të cilën është ngjitur tashmë në vendin e parë të tabelës së klasifikimit.
Por golat e sotëm të Ndrecës nuk janë rastësi. Ai po bën një kampionat të shkëlqyer. Në 10 ndeshjet e deritanishme të luajtura, ka shënuar 10 gola.
Mesarisht një gol në ndeshje, një mesatare shumë e kënaqshme, ndonëse shpeshherë nuk ka luajtur si sulmues i mirëfilltë. Por ai nuk shënon nga një gol në ndeshje sepse sot ndaj Partizanit ka shënuar një tregolësh ndërsa ndaj Laçit, Akademisë së Futbollit dhe Shënkollit nga një dygolësh dhe tjetrin ndaj Ilirisë.
Po kush është Akileu Ndreca?
I datëlindjes 6 dhjetor 2000, Ndreca më parë ka qenë pjesë e ekipeve Brians dhe Porto ndërkohë që nga kjo verë i është bashkuar Vllaznia U19. Luajti me të në “Uefa Youth League” dhe po luan edhe në kampionat me këtë skuadër duke bërë paraqitje shumë të mira.
Ndonëse luan edhe si mesfushor i avancuar por edhe si sulmues, ai i njeh mirë portat kundërshtare. Këtë e tregon më së miri shifrat e tij. Duket se kemi të bëjmë me një lojtar të së ardhmes për sulmin e Vllaznisë.
Madje, drejtori teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri në një postim të sotëm shkruan: “Shpresoj se shumë shpejt ky djalë të firmosin me ekipin Vllaznia, një bast i fituar nga Akademia jonë”.