Vllaznia depoziton zyrtarisht pranë UEFA-s një ankimim për vendimet e marra nga gjyqtari kryesor rus, Aleksei Matjunin, gjatë ndeshjes së parë në Ligën e Konferencës kundër Shiroki Brijegut, luajtur më 8 korrik në Bosnjë.

Klubi ka bërë një dosje voluminoze, shoqëruar me pamje filmike për të gjitha rastet e dyshimta gjatë ndeshjes, ku kryesori rus akordoi dy 11-metërsha shumë të diskutueshëm në favor të Shirokit, por gjithashtu nxori nga xhepi plot 12 herë kartonin e verdhë për shkodranët, si dhe dy herë të kuqin.

Pretendimet e klubit shkodran janë që arbitri ka marrë vendime në kundërshtim me rregulloren. Ata janë të bindur se për të gjitha rastet e pretenduara kundër Vllaznisë, rusi ka keqinterpretuar rregulloren dhe ka ndikuar direkt në humbjen e skuadrës kuqeblu.

Natyrisht në Shkodër nuk presin që të merret ndonjë vendim për rezultatin, por besojnë se komisionet e UEFA-s, do të penalizojnë arbitrin Matjunin nga aktivitetet ndërkombëtare. Nëse ndodh kjo, do të ishte si një fitore e vogël dhe natyrisht “ngushëllim” për atë humbje 3-1 me penallti të dhëna në mënyrë të çuditshme.

“Panorama Sport” mëson se klubi shkodran ka reklamuar edhe disa parregullsi gjatë ndeshjes ndaj Shirokit, më tepër sa i përket sigurisë në stadium dhe sjelljes së autoriteteve vendëse.

Ankesat janë të lidhura edhe me kushtet e fushës, por gjithashtu për sektorin VIP të impiantit dhe mungesën e tunelit në hyrje të dhomave.