Paraditen e së hënës në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajner i kombëtares U19 Nevil Dede dhe ai i kombëtares U17- shkodrani Elvin Beqiri, kanë dalë në një konferencë për shtyp ku kanë folur për ndeshjet e rradhës të ekipeve të tyre.

Njëkohësisht kanë publikuar edhe listat e lojtarëve që kanë ftuar për këto takime. Ajo që bie në sy është se ndër 48 futbollistët e thirrur në këto dy kombëtare, vetëm një futbollist është nga Akademia Vllaznia.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Egzon Shimaj që është grumbulluar në kombëtaren U19. Ndërkohë tek ajo U17, ndonëse tashmë drejtohet nga një shkodran si Beqiri, nuk ka asnjë futbollist kuqeblu. Kuptohet që kjo është një zgjedhje trajnerësh por duket se grumbullimet e fundit të këtyre dy kombëtareve të moshave, kanë sjellë pakënaqësi në klubin Vllaznia.

Drejtori teknik i Akademisë Alban Neziri ne nje prononcim per “Shkodra Sport” është shprehur shumë kritik në lidhje me listat e lojtarëve teksa ka thënë: “Grumbullimet e fundit të kombëtareve U19 dhe U17 treguan se vërtetë janë ndryshuar trajnerët e këtyre ekipeve, por sistemi mbetet i njëjti.

Ftohen lojtarë nga ekipet amatore dhe nuk ftohen nga ekipe të Superligës. Diçka që nuk shkon sepse ne i ndjekim kampionatet dhe e dimë mirë se cilat janë lojtarët që shkëlqejnë.

Vetëm një lojtar nga Akademia Vllaznia tek kombëtarja U19 dhe asnjë tek ajo U17, është diçka që nuk shkon, megjithatë e përsëris, trajnerët janë ndërruar por sistemi mbetet i njëjti”.
www.shkodrasport.com