Ndoshta tani ka pak rëndësi ka si ndodhi, sepse rënia e Vllaznisë në Kategorinë e Parë është fakt dhe futbollit shkodran i duhet një organizim i ri për t’u ringritur në nivelet që e dëshirojnë të gjithë në qytetin e Shkodrës.
Situata kishte rënë në qetësi, por një deklaratë e fortë e kapitenit Gilman Lika i ka trazuar ujërat sërish, pasi ai akuzon, jo me emra, njerëz të fuqishëm, si personat që e hodhën Vllazninë në Kategorinë e Parë, madje pohon se janë edhe shkodranë:
Më një intervistë të gjatë për mediet, Lika mes të tjerash ka theksuar: Jo më kot kam qëndruar për një kohë të gjatë pa folur, Çfarë nuk është thënë për Vllazninë.
Përgjegjësi kanë edhe tifozët. Nuk kanë faj, por nuk na kanë mbështetur në asnjë ndeshje si duhet, me përjashtim të asaj me Kamzën. Kishim shumë nevojë për ta.
Përgjegjësi kanë drejtuesit, sepse Vllznia e nisi kampionatin me një javë fazë përgatitore. Kuptohet që kjo gjë ndikoi në rezultatet tona dhe në fazën e parë morëm vetëm 5 pikë.
Por, arsyeja kryesore e rënies së Vllaznisë është se disa njerëz të fuqishëm në Shkodër kanë punuar shumë kundër saj.
Donin që Vllaznia të binte. Jam 100% i bindur për këtë dhe nuk e di se për çfarë interesi e kanë bërë. Nuk mund të them emra konkretë dhe nuk e di a janë brenda, apo jashtë klubit, por ata kanë punuar kundër.
Ne lojtarët kemi përgjegjësitë tona, nuk fshihemi, por e thashë se janë edhe disa arsye të tjera që kanë ndikuar në rënien e Vllaznisë një kategori më poshtë”. / Vipsport/