Kur kanë mbetur më pak se tre ditë nga përballja e dy klubeve, presidenti i skuadrës së Olympique Lyon, Jean-Micheal Aulas nisi kriticizmin e tij tradicional kundër PSG dhe shtetit të Qatar që e financon. “Nuk dua të etiketohem si antiparisien, anti PSG, apo anti Nasser. Unë i them gjërat, si zakonisht, pak përpara të tjerëve dhe pa u frikësuar se mos më tërheqin veshin”, parapriu në deklaratën e tij numri 1 i klubit të Lyon, edhe pse është e sigurtë që fjalët e tij pasuese kanë ngjallur urrejtjen e shumë tifozëve.
“Në një ambient kur PSG dëshiron të fitojë për arsye gjeopolitike trofeun e Champions League, inflacioni i gjeneruar në Francë nga PSG është një inflacion artificial, sepse fondet e përdorura janë të një shteti tjetër.
PSG tenton të barazojë dhe parakalojë klubet e tjera të pushtetshme, por janë klubet ato që menaxhojnë burimet e tyre. Neymar, unë nuk e dinë nëse ai është 100% punonjës i PSG, apo punonjës i pjesës së Qatar për Kupën e Botës”, deklaroi ai në të përditshmen “Aujourd’hui en France.
Duke ringjallur kështu dyshimet për mënyrën e transferimit më të kushtueshëm në historinë e futbollit, njëherësh edhe duke akuzuar presidentin e PSG, Nasser Al-Khelaifi, presidenti i Lyon pretendon se sulmi i tij ka në shënjestër drejtuesit dhe strukturat e larta të futbollit francez: “Unë nuk e kam me Nasser, unë luftoj sistemin që ai përfaqëson. Ajo që është në qendër të akuzave të mia është struktura drejtuese e futbollit francez që legjitimon këtë stil aferash”.
Pas publikimit të fjalës së presidentit të Lyon, ishte klubi i PSG ai që reagoi, duke preferuar të përdorë rrjetet sociale. Kështu, në llogarinë zyrtare të klubit në “Twitter”, parisienët u përgjigjën në mënyrë ironike: “Pas lajmit të gënjeshtër të sotëm nga JM AUlas përpara përballjes OL-PSG, vetëm një pyetje: A jeni gati të theyni rekordin sezonal të frekuentimit, publicitetit dhe përfitimeve duke mirëritur PSG në shtëpi?”/telesport/