FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Akuza e sekretarit Isaj të Shkumbinit: Vllaznia toleroi ndaj Besës
Akuza e sekretarit Isaj të Shkumbinit: Vllaznia toleroi ndaj Besës
Humbja e së shtunës ndaj Besës me rezultatin 0-1, nuk ka bërë ndonjë zhurmë të madhe në Shkodër. Fakti që Vllaznia aktivizoi të gjithë lojtarët e rinj, e ka brenda njëfarë justifikimi ngaqë ajo ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm. Disa prej tifozëve kuqeblu gjithsesi nuk kanë qenë dakord me këtë gjë megjithatë gjërat kanë kaluar pa ndonjë reagim të madh. Megjithatë ai që ka reaguar në lidhje me tolerimin që Vllaznia i ka bërë Besës për ta shpëtuar edhe matematikisht nga rënia prej kategorisë, ka ardhur nga sekretari i klubit rival të kavajasve- Shkumbinit, pikërisht nga Astrit Isaj. Duke folur për mediat në lidhje me këtë çështje, ai është shprehur: “E kishim paralajmëruar kohë më parë se drejtues të skuadrave rivale me Shkumbinin po përgatisnin një skenar të turpshëm ndaj nesh, në mënyrë që të dilnim jashtë objektivave. Dhe ky skenar filloi që një javë më parë dhe u zbatua në ndeshjet e luajtura të shtunën, kur në mënyrë të dukshme dhe mjaft flagrante Besa u tolerua nga Vllaznia, e cila luajti me ekipin e të rinjve. Jo më kot numri një i presidencës kavajase, Nexhat Bizhdili, deklaronte se e kishte 200% të sigurt qëndrimin e skuadrës së tij në Kategorinë Superiore, pasi skenari ishte bërë që më parë. Kjo i dha fund garës së ndershme që tri javë përpara fundit të kampionatit”, – deklaroi Isaji.