Ish-futbollisti e drejtuesi i Tiranës, Alban Tafaj, deklaroi mbreme se te bardheblutë po bëhet gjithçka gabim sa i përket drejtimit. Në “Rubrika Sportive” ai deklaroi se në klub kishte absurditete në mënyrën se si ishte përgatitur skuadra.
“Kanë bërë keq se kanë menduar të riparojnë shpejt e shpejt e trumbetojnë me të madh. Nëse aty nuk dalin njerëzit që drejtojnë e marrin përgjegjësinë mbi vete, te Tirana nuk kanë hyrë e dalë shumë por këta që janë po bëjnë që Tirana të bjerë nga kategoria e po endet aty.
Asgjë nuk bëhet pa drejtim të mirë, te pjesa e menaxhimit se presidenti është ai që hedh lekët dhe nuk është se ka munguar investimi, por njerëzit që kanë qenë në drejtim kanë bërë mjaft keq. Mjafton të përmend gjatë hedhjes së shortit në verë të dëgjosh në Federatë njerëz të Tiranës duke thënë që Ze Marias i kemi dubluar gjithë vendet e skuadrës dhe tani e kanë të lehtë.
Njerëz që marrin përsipër të ndërtojnë skuadër pa qenë trajneri që të vërë gishtin ku është pozicioni, të afrojnë lojtarë dhe të thonë që i kemi dubluar dhe ky është trajneri, vetëm po nuk diti të dalë kampion.
Është absurditet që të vritnin veshët, që nuk kanë lidhje me kualifikimet e fushës. Kur erdhi Slishkoviç, ka bërë një seleksionim me grup ekspertësh futbolli derisa krijoi fizionominë e ekipit drejt titullit. Tani të vijnë njerëz nga grupimi i tifozerisë të dalin e përcaktojnë lojtarët është absurditet, është rrugë pa drejtim.
Braktisja nga tifozët, nuk është se kam gjë kundër, por është tradhti e fanellës se më mirë të jenë aty dhe çfarëdo gjëje të ndodhë të jenë prezent, më mirë se ta braktisin e ta ndjejnë veten të vetmuar”, tha Tafaj./vipsport/