Sot duhej të kishim një pronar në krye të Vllaznisë, por procesi i privatizimit të saj ka mbetur në vend-numëro. Ankesat e bëra nga dy persona të interesuar për blerjen e saj, e kanë shtyrë këtë proces, por ajo që të bën përshtypje është se shtyrja i ka kaluar edhe afatet kohore.
Ka qenë vetë sponsori Alban Xhaferi që e ka bërë të ditur këtë gjë, madje duke patur edhe dyshimet e veta se kjo shtyrje po bëhet me dashje. Një deklaratë të tillë, njeriu që po drejton aktualisht Vllazninë e ka bërë gjatë emisionit “Sport Arena” në TV Rozafa ku është shprehur:
“Procesi i privatizimit të Vllaznisë për fatin e keq është bllokuar në Komisionin e Prokurimeve Publike në Tiranë. Të premten e kaluar ka qenë afati i fundit që ky Komision duhej të kthente një përgjigje përfundimtare për ankesat e bëra, por për fatin e keq deri më sot një përgjigje e tillë nuk ka ardhur prej tij.
Unë jam i habitur nga mënyra si është menaxhuar kjo pjesë. Aq sa ndoshta të lë edhe të dyshosh për këto vonesa që bëhen, por gjithsesi shpresoj që ky proces të finalizohet sa më shpejt sepse klubi duhet të privatizohet për shumë arsye që tashmë janë bërë të ditura.
Vllaznia ashtu si të gjithë ekipet në botë, duhet të privatizohet sepse përndryshe nëse nuk kryen një proces i tillë, sërish do të jetë në dilemë vazhdimësia e saj”./SHKODRA-SPORT.COM/