Alan Shirer thotë se do të ishte një zgjedhje e lehtë për Liverpulin që të kërkonte të transferonte Herri Kejnin në merkaton e verës, nëse kapiteni i Anglisë vendos të kthehet në Premier Ligë sezonin e ardhshëm, edhe pse kjo do të rriste shumë gjasat që sulmuesi të thyejë rekordin e tij historik të golave në Premier Ligë.

Sulmuesi 31-vjeçar iu bashkua Bajernit të Mynihut nga Totenhemi verën e kaluar, me synimin për të fituar trofe në karrierë. Pas një sezoni të pazakontë pa trofe për Bajernin, Kejn, i cili ka shënuar 213 gola në Premier Ligë, duket se është pranë realizimit të këtij qëllimi, pasi gjigantët gjermanë janë afër titullit të Bundesligës. Pasi habiti shumëkënd me vendimin për t’u transferuar jashtë Anglisë, ka pasur shumë spekulime për një rikthim të tij.

Zërat u shtuan pasi nga Spanja “El Nacional” raportonte se Liverpuli mund të ishte një kandidat surprizë për të nënshkruar me ish-yllin e Totenhemit nëse ai do të kthehej në Angli. Dhe autori i 260-golave në Premier Ligë, Alan Shirer, tha për “Betfair”:

“Liverpuli do të kërkojë një sulmues këtë verë, për këtë nuk kam asnjë dyshim, dhe Kejn do të ishte një opsion i shkëlqyer për ta për shkak të madhësisë së klubit dhe faktit që ai shënon gjithmonë gola. Gjithmonë kam thënë se, nëse kthehet në Angli, ai do të ketë një shans shumë të mirë për të thyer rekordin tim. Unë jam një admirues i madh i tij”.