Akademitë e futbollit shqiptar po shkojnë drejt vdekjes dhe çdo ditë e më shumë po ulet numri i lojtarëve që dalin nga ato të cilët arrijnë të shprehen në elitën e futbollit shqiptar, Kategorinë Superiore.
Në një kohë kur klubet kërkojnë rritjen e numrit të të huajve, shifrat e Kategorisë Superiore për javën e parë janë të frikshme dhe alarmuese për rrugën që po merr futbolli shqiptar.
Nga një vëzhgim i Vip Sport del se në ndeshjet e javës së parë, 38% e lojtarëve që kanë zbritur në fushën e lojës për 10 klubet e elitës nuk janë formuar në akademitë e Shqipërisë,
një situatë që duhet të shqetësojë këdo në një kohë që FSHF trumbeton si arritje masivizimin e futbollit në vendin tonë dhe rritjen cilësore të tij.
Janë 53 futbollistë në 137 të aktivizuar që vijnë nga akademi jashtë Shqipërisë dhe që tregon qartësisht se prodhimi vendas është drejt zhdukjes gjithnjë e më shumë.
“Rekord” për këtë javë të parë mban Kukësi, 10 nga 14 futbollistët e të cilit janë formuar në akademi jashtë Shqipërisë.
Duke llogaritur se verilindorët janë mes atyre që kanë kërkuar rritjen e numrit të të huajve, nuk është çudi që ky rekord të thyhet shpejt prej tyre në vijimin e kampionatit.
Mesazhe që klubet shqiptare japin aktualisht është i qartë: futbollistët e akademive shqiptare nuk janë në nivelin e akademive të rajonit.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse çdo vit, paratë që vijnë nga UEFA për akademitë shqiptare FSHF i lejon që klubet t’i përdorin për gjithçka përveç përmirësimit të futbollit të të rinjve. /vipsport/