Opinion nga Alban Hasani
Të gjithë shkodranët por edhe më gjerë, në gjithë këto vitet e fundit janë krenuar me Akademinë Vllaznia. Prej saj dilnin jo vetëm tituj kampionë por edhe lojtarë të talentuar. Por aktualisht, shumë gjëra kanë filluar të degradohen tek ajo. Trofe ka edhe njëherë (tek ekipi U-17) por mungojnë lojtarët cilësorë për ekipin e parë. Unë vetë jam trajner megjithatë konstatoj disa mangësi të theksuara në punën që bëhet e për këtë, do të rradhisja katër arsye pse duhen bërë shumë ndryshime, madje rrënjësore tek kjo Akademi.
1.Jam i mendimit për ndryshime rrënjësore tek Akademia Vllaznia pikërisht për mënyrën sesi punohet me ekipet dhe fëmijët aktualisht. Ndryshime që duhen bërë duke filluar nga emrat e trajnerëve. Ata nuk duhet të jenë të përjetshëm. Nëse kanë kontrata njëvjeçare me klubin, në fund të tyre, të bëhet një analizë e hollësishme e punës së gjithësecilit dhe pas saj, të vendoset për vazhdimësinë apo jo të punës së tij. Ka vend edhe për trajnerë të tjerë tek kjo Akademi që ndoshta mund të punojnë edhe më mirë. Thjesht, u duhet dhënë mundësia edhe aty. Sigurisht që e kanë edhe ata këtë të drejtë duke parë sesi punohet aktualisht. Vllaznia e madhe po e ndjen mungesën e lojtarëve cilësorë të ardhur nga ekipet e Akademisë së saj në këto dy vitet e fundit. Më vjen keq ta them, por kjo Akademi nuk e ka më atë emrin e mirë që ka patur pak vite më parë dhe që ka nxjerrë shumë lojtarë cilësorë.
2. Konstatoj se çdo trajner i Akademisë ka dhe drejton edhe nga një ekip privat dhe kjo është e pafalshme. Nuk mund të punohet në këtë mënyrë dhe prandaj ata që kanë diçka në dorë, duhet të ndërhyjnë sa më shpejt për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështje.
3. Sidomos nga janari i këtij viti, stërvitja e ekipeve të Akademisë ka qenë një skandal i vërtetë. Të gjitha këto ekipe janë keqtrajtuar sa i takon fushës së stërvitjes nga ekipi i parë dhe askush nuk e ka ngritur zërin. Të mos i krijosh mundësinë për t’u stërvitur fëmijëve, ky është një minus i madh për drejtorin e kësaj Akademie dhe nëse ai nuk arrin ta zgjidhë këtë problem, duhet të japë dorëheqjen.
4. Problemi i katërt që nge unë është se Akademia Vllaznia (në moshat 10-15 vjeç) duhet të përballet në kampionat me Akademitë e qyteteve të tjera dhe jo me ekipet private të Shkodrës sepse aty nuk fiton asgjë.
…
Këto janë shqetësimet që ngre unë dhe që duhet të marrin zgjidhje sa më parë të jetë e mundur. Prandaj i bëj thirrje drejtuesve të klubit Vllaznia t’i kushtojnë vëmendjen e duhur Akademisë sepse ajo po shkon drejt rrënimit.
Megjithatë më duket se në Shkodër problemi me futbollin e moshave nuk është vetëm tek Vllaznia. E konstatoj edhe tek ekipet kombëtare të Zonës së Veriut. Kemi të bëjmë me një organizim skandaloz të tyre. E quaj të pafalshme shkuarjen në Mal të Zi të këtyre të ashtuquajturave ekipe kombëtare të moshave dhe ndeshjen e tyre me ekipet malazeze duke patur të veshur fanellat e Vllaznisë!!! Kjo nuk ka nevojë për shumë koment. Dikush duhet të ndërhyjë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje gjithë këtyre problemeve.