Te Barcelona janë një ankth lidhur me gjendjen fizike të sulmuesit kryesor, Robert Lewandowski. Polaku u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 78-të të ndeshjes ndaj Celta Vigos për shkak të një shqetësimi muskulor, vetëm pak ditë para një përballjeje vendimtare në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja e parë e gjysmëfinales ndaj Interit është planifikuar për datën 30 prill, ndërsa ajo e kthimit më 6 maj dhe prania e Lewandowskit në këto dy sfida është vendimtare për ambiciet europiane të katalanasve.

Gjatë ndeshjes ndaj Celta Vigos, Lewandowski u pa duke u ulur në tokë teksa mbante pjesën e pasme të kofshës së majtë, një shenjë klasike e një dëmtimi muskulor. Pas këtij momenti, ai kërkoi menjëherë zëvendësim dhe u largua duke ia lënë vendin Gavit.

Klubi ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi shkallën e dëmtimit, por brenda ambientit të Barcelonës ka shqetësim të madh për mundësinë që sulmuesi polak të mos jetë në formë për ndeshjet kundër Interit. Duke qenë golashënuesi kryesor i skuadrës dhe një nga liderët në fushë, mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për trajnerin dhe gjithë ekipin.

Barcelona shpreson që bëhet fjalë vetëm për një lodhje muskulore dhe jo një tërheqje apo dëmtim më serioz që do të kërkonte javë rikuperimi. Skuadra mjekësore pritet të bëjë ekzaminimet e detajuara në orët në vijim për të përcaktuar kohën e rikuperimit dhe nëse Lewandowski do të mund të jetë gati për sfidën europiane.