“Eurohetim te Juventusi”. Kështu titullohet shkrimi në faqen e parë të La Gazzetta dello Sport, sipas të cilit klubi torinez rrezikon përjashtimin nga kupat e Evropës sezonin e ardhshëm për sjellje josportive në aspektin financiar.
Nëse koha e hetimit për të ardhurat jo reale të klubit të Juventusit, do të zgjatet dhe drejtësia sportive italiane nuk prononcohet deri në fund të korrikut, UEFA do të vendosë në mënyrë autonome për fatin e Juves me hetimin e saj paralel. Kjo për shkak se koha në dispozicion është e shkurtër dhe listat e skuadrave që do të luajnë në turet paraeliminatore, play-off dhe shortet e turneve verorë duhen përcaktuar.
Juventus rrezikon një vit qëndrimi jashtë Kupave të Evropës, madje edhe fitimi i Ligës së Evropës nuk do të ndryshonte asgjë. Siç dihet, UEFA ka disa kohë që po kryen një hetim paralel dhe të pavarur për Juventusin dhe tashmë ka marrë të gjitha dokumentet nga prokuroria e Torinos.
Vullneti është të pritej koha e vendimit të drejtësisë italiane, por duke qenë se kolegji garantues Coni konfirmoi bindjet e drejtuesve dhe antisportivitetin (neni 4) dhe koha e vendimit do të jetë shumë e gjatë, atëherë do të jetë komisioni i Fair Play-it të UEFA-s ai që do të vendosë.
Pas bisedimeve të para që Juve kreu me komisionin e Fair Play-it, doli se të gjitha lëvizjet financiare ishin jashtë parametrave, shpjegon La Gazzetta, kështu që nëse hetimi vërteton se shifrat e komunikuara janë të rreme, marrëveshja për pranimin e fajësisë nuk do të aprovohej dhe do të ishte praktikisht e pamundur t’i shpëtohej dënimit. Një vit jashtë Kupave të Evropës do të kishte efekte dramatike në llogaritë financiare të klubit torinez.