Gerti Shima, një nga liderët e skuadrës së basketbollit të Tiranës, i ftuar në emisionin e djeshëm “Wake Up” ka prekur disa nga problemet dhe vështirësitë që po kalon sporti i basketbollit në Shqipëri.
Kushtet e vështira financiare dhe mungesa e infrastrukturës duket se vazhdojnë të jenë “thembra e Akilit” në të gjitha sportet në vendin tonë. Shima gjithashtu i përgjigjet pyetjes se deri kur do të vazhdojë të luajë basketboll.
Pse sallat janë bosh? Mendoni se mungon pasioni apo besimi te kampionati ku mund të ketë takime të trukuara?
Nuk mund të flitet për ndeshje të trukuara, pasi Kampionati shqiptar nuk e ka nivelin ku të diskutohet për fiksime ndeshjesh. Kushtet janë shumë të vështira, pasi nëse flasim për ndeshje që zhvillohen në periudhë dimri, nuk ke dëshirë as të zhvishesh e të luash, sepse temperaturat janë vërtetë shumë të ulëta dhe mungon tërësisht infrastruktura me salla në gjendje shumë të keqe.
Gjithashtu, mungojnë sponsorizimet dhe për rrjedhojë niveli i lojës lë shumë për të dëshiruar. Është e vështirë që të tërheqim shikues në këto kushte ku niveli i lojës bëhet i rëndomtë.Mungon investimi, marketingu dhe gjithçka. Le të marrin një shembull, ku luhet një derbi kryesor për kampionatin si Tirana-Partizani dhe nuk gjen një shpallje në rrugë. Në televizione as që bëhet fjalë.
Mungon e drejta televizive, që do të thotë se ne për t’u ngritur duhet të fillojmë nga zero, pasi nuk funksionon asgjë. Kjo është një problematikë, të cilën unë e kam shprehur shumë herë edhe më përpara, por ashtu sikurse ndodh rëndomtë në Shqipëri, asgjë nuk ka ndryshuar.
Në gjithë këto vite karrierë, a keni parë ndonjë ndryshim për mirë, apo çdo gjë ka ardhur duke u përkeqësuar?
Edhe kur ndryshon diçka, ndodh për një periudhë të shkurtër, ashtu siç ndodh rëndomtë në çdo sport këtu në Shqipëri. Kur u ktheva te Tirana para dy vitesh kishim një projekt vërtet shumë të mirë. Tirana u rikthye pas një periudhe pauze prej katër vitesh pa fituar titull kampion.
Kaluan dy vite, pasi ishte viti 2017, kur unë u ktheva nga Prishtina, dhe pas sukseseve tashmë ne jemi në vend të katërt dhe nuk mundëm të merrnim pjesë në kompeticionin e Ballkan Ligës duke mos e dërguar deri në fund projektin.
Por, për të bërë një jetë si një sportist profesionist, duhet që të stërvitesh dy herë në ditë, duhet të kesh një regjim të rregullt ushqimor që të arrish të japësh më të mirën kur të zbresësh në parket. Nuk mund të luash për një skuadër të madhe si Tirana pa i pasur këto kushte.
Deri kur mendoni se do vazhdoni të luani basketboll?
Kjo është një pyetje që më bëhet shpesh dhe unë e kam shprehur të paktën deri para një viti s’e kam menduar të tërhiqem, por nuk më lënë të tjerët që të tërhiqem (qesh). Momenti kur unë do vendos të tërhiqem përfundimisht nga basketbolli, do të jetë atëherë kur të jem plotësisht i bindur dhe kur mos të ndiej më emocionet që të jep ky sport.