Kombëtarja shqiptare e minifutbollit ndodhet para një prove të vërtetë. Ditën e nesërme ajo niset drejt Zvicrës, vend ku do të luhen ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian “Belgjikë 2014”. Kualifikuese këto në të cilat kombëtarja jonë ka pretendime serioze. Jo më kot, ajo është vendosur si kokë grupi nga drejtuesit e UEFA-s. Ekipi ynë kuqezi, prej të hënës së kaluar, është I grumbulluar në Durrës në hotel “Tropikal” ndërsa stërvitjet I ka zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Sipas trajnerit të këtij ekipi Alban Hasani, pretendimet e kombëtares sonë në këto eliminatore janë për t’u kualikuar pavarësish ndonjë problemi që ka patur me dy prej lojtarëve kryesorë të tij.

“Në fakt e kisha menduar ndryshe këtë periudhë para ndeshjeve kualifikuese. Punuam një vit rresht për të ndërtuar ekipin e duhur dhe në momentet e fundit, dy prej lojtarëve tanë më të mirë, Brahimi e Begaj nuk do mund të luajnë për ne sepse njerëzit e Federatës që e kanë për detyrë të përgatisin dokumentacionin e pjesmarrjes në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, kanë bërë gabime në federimin e tyre dhe për rrjedhojë UEFA nuk I lejon të aktivizohen. Diçka absurde por ky është realiteti që na shoqëron. Mua si trajner më janë prishur jo pak plane. Këto eliminatore ishin shpresa e madhe për t’u kualifikuar për në fazën finale të Europianit. Falë edhe vlerësimit që na ka bërë UEFA duke na vendosur kokë grupi, kishim shpresa të mëdha. Pa dy lojtarët e mësipërm gjërat bëhen tashmë më të vështira për kualifikimin por gjithsesi në do të tentojmë deri në fund. Kemi patur pak problem zhvillimin e ndeshjeve miqësore gjatë kësaj periudhe dhe kjo është një tjetër mangësi por pavarësisht të gjitha këtyre gjërave, do të tentojmë të bëjmë mrekullinë në këto eliminatore”- ka thënë trajneri Hasani. Kombëtarja shqiptare e futsallës do ta zhvillojë ndeshjen e parë me datë 23 ndaj Danimarkës, më 24 do të luajë ndaj Norvegjisë dhe më 26 janar ndaj vendasve të Zvicrës. Kësisoj tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse me shpresat se do të realizohet ajo që thotë trajneri Alban Hasani. Të paktën në futbollin e vogël të hyjmë një herë në histori duke kaluar në fazën finale të një kompeticioni të rëndësishëm siç është Kampionati Europian. Mundësitë ekzistojnë pavarësisht vështirësive të organizimit që I shoqërojnë herëpashere ekipet tona kombëtare.
Gjergj KOLA