Rradha e njerëzve që kritikojnë mënyrën si po punohet sot tek Vllaznia, apo më mirë të themi qëjanë kritik edhe për mënyrën si është ndërtuar kjo skuadër që në verë, rritet çdo ditë e më tepër. Ata kanë qenë pjesë e saj për vite me rradhë dhe si shkodranë që janë, duan ta shohin mirë e më mirë. Por kur e shohin atë të vuajë, sigurisht që ndjehen keq. Alban Hasani, ish-futbollisti I kësaj skuadre që tashmë mban postin e trajnerit të kombëtares shqiptare të minifutbollit, duke folur për Vllazninë, bën një krahasim me skandalin që ndodhi ditën e festës së Pavarësisë.

“Vllaznia e këtij sezoni është bërë si torta e festës së Pavarësisë. Tek torta futën duart të gjithë, dikush duke e marrë me kovë, dikush me xhantë, dikush duke e futur edhe në xhepa dhe mendoj se e njëjta gjë po ndodh edhe me Vllazninë. Si pronë e Bashkisë që është, ajo konsiderohet në fakt “mall pa Zot” dhe të gjithë janë sulur kush e kush të marrë më shumë pjesë prej saj. Më vjen jashtëzakonisht keq kur e konstatoj këtë gjë por ky është realiteti aktual me të dhe prandaj gjërat kanë shkuar kështu si kanë shkuar. Nëse nuk ndërhyhet shpejt, mos u habisni por kjo skuadër mund të rrezikojë edhe rënien nga kategoria”-ka thënë Hasani. Por edhe nëse Vllaznia shpëton nga rënia prej kategorie dhe siguron një vend në mesin e tabelës së renditjes, pasojat për të do jenë të mëdha në qershorin e ardhshëm. Këtë problem e ngre Hasani kur shton: “Marrja pa kriter e 12 futbollistëve dhe largimi I shumë të tjerëve, ka krijuar një problem të madh që efektin e vet do ta japë në qershorin e ardhshëm. Do largohen të gjithë këta që janë dhe në skuadër kanë për të mbetur vetëm Bardulla, Guri e Gjini. Këta që kanë ardhur me kontrata njëvjeçare do ikin të gjithë, plus kësaj do ikë edhe Vujadinoviç. Kthimi I futbollistëve shkodranë do jetë I pamundur sepse Gocaj e Sykaj nuk kthehen më, Lika nuk vjen, Vucaj nuk vjen dhe kësisoj, do duhet që në qershor të blihen sërish 12 futbollistë të tjerë dhe sërish do krijohet e njëjta situatë si këtë kampionat”.
www.shkodrasport.com