Ditët e fundit ka patur një debat në distancë në mes drejtuesve të Bashkisë Shkodër, të Vllaznisë, por edhe të Këshillit Bashkiak në lidhje me moszhvillimin e mbledhjes së Asamblesë së klubit, gjë që ka penguar klubin kuqeblu për lëvrimin e rrogave të punëtorëve të saj, por edhe të trajnerëve të Akademisë etj.

Në lidhje me një çështje të tillë, sot është prononcuar edhe drejtori teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri i cili u ka bërë një thirrje për gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak Shkodër që janë njëkohësisht edhe anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të KF Vllaznia sh.a.

“Dua t’u bëj një thirrje publike, një përgjërim, një lutje anëtarëve të Këshillit Bashkiak Shkodër që ta zhvillojnë atë mbledhje, historia e së cilës u zgjat shumë, t’i miratojnë ato pasqyra financiare apo çfarë kanë për të miratuar dhe pastaj le të zgjidhin çfarë kanë për të zgjidhur.

Ata duhet ta dinë se janë shumë trajnerë e punonjës të klubit, të terreneve sportive, të cilët mbajnë familjet e tyre me ato rroga që nuk i kanë marrë prej tre muajsh dhe presin nga dita në ditë që ju të bini dakord për t’i miratuar ato çfarë keni për të miratuar dhe ato të marrin lekët, me të cilët thjesht mbajnë familjet e tyre dhe për më tepër, e kanë shumë të domosdoshme nisur edhe nga një situatë e tillë kritike që po kalon vendi”- ka thënë Neziri.

Drejtuesi i Akademisë në fakt ka edhe një propozim shumë interesant për të bërë: “Nëse ndodh që të miratohen ato pasqyra dhe rrogat të kalojnë, do të bëja një propozim që shpresoj të gjej mbështetjen e drejtuesve. Të gjithë ata që i kanë rrogat më të larta në klub, duke filluar nga administratori, drejtori teknik, me dy drejtuesit e Akademisë, trajnerët e ekipit të parë apo dhe futbollistët e ekipit të parë që i kanë rrogat mbi 1 milionë e 500 mijë, të kontribuojmë me nga një shumë nga rroga e muajit mars, për t’ua kaluar familjeve të punonjësve të stadiumit dhe të fushës “Reshit Rusi”.

Gjysma e tyre jetojnë në shtëpi me qera dhe gjysma tjetër të sëmurë kronikë dhe me ato rroga të vogla që kanë, nuk ja dalin as të paguajnë qeranë. Prandaj një mbështetje nga ana jonë do të ishte diçka shumë e mirë në këto ditë të vështira që po kalojmë”.
© shkodrasport.com