Duke nisur nga sot, tek Vllaznia e futbollit do të nisin zyrtarizimet e para. Një epokë e re po lind dhe bashkë me të edhe shpresat e mëdha të futbollit shkodran. Ndryshime këto të ardhura falë një njeriu, Alban Xhaferit. Për koinçidencë ndoshta, por sot ai feston edhe 41 vjetorin e lindjes dhe gjithçka do të jetë edhe më e bukur.

I ri në moshë, por ky biznesmen prej dy vitesh është kthyer në protagonistin kryesor të sportit shkodran. Fillimisht duke e marrë basketbollin në një moment shumë delikat kur rrezikohej seriozisht jo vetëm rënia nga kategoria por edhe më shumë. Arriti që jo vetëm ta shpëtojë, por një sezon më vonë, ta çojë deri në finale të Kupës së Shqipërisë dhe të jetë edhe pretendent për titullin kampion, në një kampionat që nuk përfundoi për shkak të pandemisë.

Këtë gjë po tenton ta bëjë edhe me futbollin tashmë pas firmosjes së një kontrate 5 vjeçare bashkëpunimi, sponsorizimi dhe partneriteti me Bashkinë Shkodër.

Dhe Xhaferi ashtu si tek basketbolli, gjëja e parë që bëri ishte që kontribuoi në mosrënien e ekipit nga Superliga. Deri këtu gjërat i ka nisur mirë. E vështira kuptohet që nis tani e tutje sepse shkodranët presin ringritjen e Vllaznisë në nivele të larta dhe biznesmeni i njohur e ka premtuar këtë gjë.

Ashtu si ia ka dalë në biznes kur brenda pak vitesh ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe tashmë kompania e tij është distributori kryesor i firmës së njohur “FUJI FILM” për gjithë Ballkanin, Alban Xhaferi premton se do të jetë i suksesshëm edhe në sport.

Sot megjithatë atij i duhet të lërë pak kohë edhe për familjen dhe njerëzit e tij të dashur për të festuar ditëlindjen. Me këtë rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron Alban Xhaferit edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe njëkohësisht sa më shumë suksese në krye të “VLLAZNIVE”!
www.shkodrasport.com