Klubi “Albania Judo Kodokan” me qendër në Vaun e Dejës, që drejtohet prej vitesh nga mjeshtri i madh i xhudos shkodrane dhe asaj shqiptare, Anton Shkoza, e ka shndërruar në traditë tashmë organizimin e festës së fundvitit me sportistët dhe anëtarët e këtij klubi.

Realisht, pavarësisht mbështetjes së paktë financiare nga pushteti vendor, Anton Shkoza vijon sërish t’u qëndrojë pranë fëmijëve të Shkodrës dhe Vau-Dejësit. E kthyer tashmë në një traditë, edhe sivjet presidenti i “Albania Judo Kodokan” organizoi festën e fundvitit me xhudistët e tij.

Një aktivitet i tillë shërbeu për të bërë edhe bilancin e rezultateve të arritura gjatë vitit. Për hir të së vërtetës, ky vit ka qenë i suksesshëm për xhudon shkodrane, pasi janë arritur shumë medalje nga sportistët e këtij klubi nën drejtimin e trajnerëve, Aurora Shkoza dhe Luigj Shkoza.

Ndërkohë, krahas të tjerave, në këtë aktivitet nuk munguan edhe dhuratat simbolike nga presidenti i klubit “Albania Judo Kodokan”, Anton Shkoza. Poashtu, në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, Mark Babani.

“Albania Judo Kodokan”, gjatë vitit 2022, ka fituar shumë medalje dhe tituj kampion në arenën ndërkombëtare, por jo vetëm, pasi përveç diçkaje të tillë, ky vit ka pasur edhe një të veçantë për trajnerin Luigj Shkoza.

Pikërisht, ky i fundit, pak ditë më parë, ka marrë edhe liçensën e trajnerit ndërkombëtar, ç’ka është padyshim një arritje e madhe për Luigj Shkozën, si një trajner shumë pasionant, i cili përveç karrierës së shkëlqyer si sportist, tashmë ka nisur një tjetër si trajner, ku mendon dhe synon të arrijë shumë lart.
Maringlen ZHIVANI