Albert Kaçi, një nga emrat e njohur të Vllaznisë së fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ish-fantazisti, i cili është shpallur edhe kampion me kuqeblutë, analizon ecurinë e skuadrës deri më tani. Ai thekson se Vllaznia ka shfaqur luhatje, kjo ndikuar edhe nga mungesat.
Ndër të tjera, Kaçi thotë se pavarësisht se ekipi qëndron lart në tabelën e klasifikimit, loja duhet përmirësuar dhe nuk duhet të ketë eufori. Ai shton që në fund të këtij edicioni skuadra të mos përsërisë gabimet e sezonit 2020-2021, ku ishte shumë pikë para në klasifikim dhe e humbi kampionatin në fund.
Kaçi, si ju është dukur ecuria e ekipit të Vllaznisë në këto dy faza të kampionatit?
Për shkak se tashmë jemi larg Shkodrës ndoshta nuk më takon t’i ndjek të gjitha ndeshjet. Por jam munduar të shikoj ato kryesoret, pasi dihet që Vllaznia është ajo çfarë më përfaqëson dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sime.
Pse ka shfaqur kaq shumë luhatje ekipi gjatë kampionatit?
Në mendimin tim, kjo për shkak se formacioni është ndërruar thuajse çdo javë nga trajneri. Kjo edhe për shkak të mungesave, kuptohet. Por edhe kur i kishte lojtarët e të njëjtit pozicion për t’i zëvendësuar, Brdariç preferonte lojtarë të një roli tjetër. Dhe kjo patjetër ndikon te performanca dhe luhatjet e ekipit.
Mendoni se ndikojnë kaq shumë mungesat?
Patjetër që po. Sepse trajneri ka një ide të caktuar me disa futbollistë që i konsideroj titullarë. Dhe në këtë mënyrë duhet gjetur mënyra për të përballuar ndeshjet. Megjithatë, këto mungesa kanë diçka pozitive, sepse në pah kanë dalë elemente të rinj si Dodaj dhe Delaj. Uroj të kenë vazhdimësi dhe aktivizimi i tyre të mos jetë thjesht një “emergjencë” momentale!
A premton kjo Vllazni për titullin kampion në fund?
Ekipi po ecën mirë dhe po qëndron brenda katërshes së parë. Janë brenda objektivit për momentin dhe unë me gjithë zemër dua që titulli të kthehet në Shkodër, sepse mungon që në vitin 2001. Është një kohë shumë e gjatë për një skuadër si Vllaznia dhe një qytet si Shkodra.
Keni ndonjë këshillë për skuadrën dhe stafin?
Këshillat i dinë më mirë ata që janë aty, por thjesht të kenë kujdes me euforinë. Ishte pikërisht me këtë trajner, Brdariç, kur para 4 sezonesh ishin shkëputur mbi 11 pikë në kryesim dhe e humbën kampionatin. Uroj që situata të tilla të mos përsëriten më!
Pse mendoni se po mungojnë tifozët në shkallët e “Loro Boriçit”?
Tifozët shkodranë janë të veçantë dhe emocionalë. Ata nuk duan thjesht fitoret, por edhe lojën e skuadrës, që nuk ka qenë aty ku ata kërkojnë. Ekipi fiton jashtë një ndeshje të fortë dhe bën një hap fals në shtëpi. Këto disbalanca patjetër ndikojnë te tifozët, të cilët duan një ekip që bind për të mbushur shkallët e “Loro Boriçit”.
Duhet të ndërhyjë në merkato klubi gjatë janarit?
Po ta shikosh me vëmendje, edhe Real Madrid e Barcelona kanë nevojë për përforcime (qesh). Përtej humorit, në syrin tim, ekipi duket i kompletuar dhe me rolet e dubluara. Mjafton që futbollistët të mos kenë dëmtime, që kanë qenë shqetësuese këtë periudhë. Por nëse në janar gjendet ndonjë lojtar që bën shumë diferencë, atëherë besoj se do të ishte i mirëpritur nga kushdo.
Vllaznia e mbyll me Partizanin vitin 2024. Si e mendoni dhe parashikoni këtë betejë mes pretendentësh?
Ndeshjet kundër Partizanit dhe Tiranës për ne janë cilësuar gjithmonë si “derbi”. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar. Edhe Partizani ka pasur oshilacionet e tij gjatë këtij kampionati dhe nuk ka bindur gjithmonë. Dëshira ime është që të fitojë Vllaznia dhe kam besimin se e mbyll vitin 2024 me një rezultat pozitiv.