Kaçi, keni shënuar dy gola ndaj Skraparit, duke qenë njeriu i kësaj jave, pasi i keni dhënë Besëlidhjes tre pikë shumë të vlefshme. I pritshëm një fillim i tillë në fazën e dytë?
Natyrisht, që jam i gëzuar dhe i lumtur, që kam arritur të shënoj, aq më tepër duke i dhënë fitoren Besëlidhjes, ku unë bëj pjesë. Mendoj se kam bërë detyrën ashtu siç mund ta bëjë çdo futbollist tjetër në skuadër, por kësaj here, fati më buzëqeshi mua dhe shpresoj që në të ardhmen fati, duke i bërë dhe hyzmetin, t’i buzëqeshë Besëlidhjes për të arritur objektivat që kemi për t’u ngjitur direkt në Superligë.
Pse, besoni se lezhjanët mund t’i ikin ndeshjeve të play-off-it dhe mund të ngjiten direkt në Superligë?
Unë besoj që po! Megjithatë duhet të bëjmë gjithçka që të mos shkojmë në ndeshje shtesë, duke u marrë ndeshjet një e nga një, e duke i vlerësuar siç duhet kundërshtarët për të mos patur nevojë, në fund të kampionatit për ndeshje play-off-i.
Megjithatë nuk është shumë e lehtë për t’i ikur ndeshjeve shtesë, pasi dhe konkurenca është shumë e madhe për tre vendet, nga i dyti tek i katërti, pasi i pari duket se është “privatizuar” nga Luftëtari?…
Normalisht e dimë që nuk është e lehtë, pasi ka një konkurencë të fortë, por ne u besojmë vlerave tona dhe mundësive reale. Sigurisht që futbolli ka dhe të papritura, por uroj dhe shpresoj që këto të papritura të mos kenë asnjë lidhje me Besëlidhjen dhe ne të ecim përpara, duke shpresuar, pse jo, që rrugës, të ngecë dhe ndonjë nga rivalët.
Që këtë javë do të keni përballë një prej skuadrave pretendente, Elbasanin….
Është një skuadër me traditë në futbollin shqiptar. Ata (elbasanasit) në këtë ndeshje janë më të karikuar dhe më të motivuar se asnjëherë tjetër, pasi ndeshjen e fundit e kanë fituar në transfertë, duke marrë tre pikë me peshë ndaj Gramshit dhe kështu kanë shumë arsye për të kërkuar me çdo kusht fitoren, por të njëjtën gjë do ta kërkojmë dhe ne.
Për ju, kjo ndeshje duket paksa e veçantë, pasi riktheheni në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të këtij qyteti si kundërshtar, kur me këtë skuadër pak vite më parë keni fituar titullin “kampion”, duke qenë një ndër protagonistët, tashmë, të historisë së Elbasanit. Si do të ndihemi?
Nuk mund ta mohoj se Elbasani, ashtu si Vllaznia, është skuadra ime e zemrës. Megjithatë dua të theksoj se nuk është hera e parë që shkoj në këtë qytet si kundërshtar, pas suksesit, që kam arritur me këtë skuadër, pak sezone më parë. Gjithnjë më kanë pritur dhe respektuar, duke treguar mirënjohje për atë çfarë kam dhënë për futbollin elbasanas dhe unë për këtë u jam mirënjohës, pasi edhe vetë si futbollist kam fituar shumë me fanellën e këtij klubi. Por tashmë unë mbroj fanellën e Besëlidhjes do të “luftoj” dhe bëj përpjekje maksimale për ekipin ku bëj pjesë, që të fitoj. Më vjen keq për Elbasanin, pasi është ekip zemre për mua, por dua ta mposht kësaj here.
Kur thoni “dua ta mposht”, e keni fjalën në aspektin personal apo ekipor?
E theksova dhe pak më lart se e rëndësishme është ecuria pozitive e Besëlidhjes, pastaj në planin personal nuk kam asgjë me Elbasanin, të cilin e dua dhe e respektoj, por tani më duhet të fitoj për Besëlidhjen.
Pra parashikoni fitore në “Ruzhdi Bizhuta” për lezhjanët këtë javë?
Dëshira është e tillë. E sigursht dhe për këtë, po përgatitemi, që nga fillimi i javës dhe shpresoj shumë që ta arrijmë, pasi ndryshe ia ndërlikojmë pozitat vetes sonë. Duhet të pranojmë dhe faktin tjetër se nuk do të jetë e lehtë një gjë e tillë, që përveç traditës, në radhët e Elbasanit ka futbollistë cilësor dhe me eksperiencë. Por objektivat e Besëlidhjes dihen tashmë dhe duhet të kërkojë dhe të fitojë në çdo ndeshje, brenda apo jashtë.
Në ndeshjen e fundit, lezhjanët fituan falë dy golave tuaj, do të ndodhë e njëjta gjë dhe tani, ndaj Elbasanit?
Shpresoj shumë, por e rëndësishme është të fitojë skuadra, pavarsisht se kush shënon.
Qëndrojmë përsëri tek ndeshja e fundit, ndaj Skraparit, ku ju e nisët takimin nga stoli i rezervave. Kësaj here mendoni se do të jeni në fushë, që nga minuta e parë apo?…
Ajo është zgjedhja dhe ide e trajnerit, të cilën unë e respektoj. Unë jam i gatshëm për të kontribuar për Besëlidhjen ashtu si ma kërkon stafi teknik dhe drejtues dhe sa herë ma kërkojnë ata. Për mua nuk përbën ndonjë problem personal nëse e nisi ndeshjen nga stoli i rezervave apo si titullar, pavarsisht dëshirës. Gjithsesi shpresoj se ndaj Elbasanit do të jem nga minuta e parë, por në fund të fundit për çdo gjë vendos stafi teknik.
Mungon A.Dibra, rikthehet Stojkoviç
Mund të konsiderohet ditë lëvizjesh apo prurjesh dhe mungesash në radhët e Besëlidhjes. Duket se sulmuesi shkodran Arenc Dibra do të jetë mungesa e sigurtë e lezhjanëve ne kryesfidën e kësaj jave në kategorinë e parë. Ai është dëmtuar në takimin e fundit me Skraparin, ku në minutën e 23-të, i është detyruar të largohet nga fusha e lojës, duke i lënë vend bashkëpatriotit të tij Albert Kaçi. Por A.Dibra nuk është paraqitur në stërvitje gjatë ditëve të para të kësaj jave, duke e konfirmuar thuajse në mënyrë zyrtare mungesën e tij në përballjen me Elbasanin. Por ndaj këtij të fundit duket se është rikthyer një prej lojtarëve, që deri para katër javësh konsiderohej idhull në Lezhë dhe i paprekshëm tek skuadra e Besëlidhjes. Bëhet fjalë për mbrojtësin serb Aleksandër Stojkoviç, i cili katër javë më parë, pas një debati që ai pati në stërvitje me shokë të skuadrës apo edhe persona të tjerë në skuadër, u pezullua nga klubi, ku si masë ndëshkimore ai jo vetëm nuk u lejua që të luante me skuadrën e Besëlidhjes, por as të stërvitej, duke e kaluar tek skuadra e të rinjëve të këtij klubi. Por Stojkoviç, pas një mungese të gjatë, dje është kthyer të stërvitet me Besëlidhjen e madhe dhe si për çudi, me shumë gjasa mund të jetë edhe titullar ndaj Elbasanit, pavarsisht se kohë që nuk stërvitet me grupin. Gjithsesi, sot lezhjanët e drejtuar nga tekniku Ridvan Kulli do të kenë dhe një ndeshje kontrolli brenda familjes, ku mund të shihet më mirë se çfarë lëvizjesh mund të ketë në formacionin e parë. Ndërsa dje ky ekip ka zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë.
Mejdan ZHIVANI