Ish- sulmuesi i Vllaznisë së viteve ‘2000, Albert Kaçi, është rikthyer të luajë futboll. Ndonëse në moshën 36 vjeçare, ndonëse bën edhe punën e trajnerit tek Akademia Vllaznia, ai sërish nuk e ka hequr mendjen nga futbolli i luajtur dhe ftesës së mikut të tij Ersi Çaku që drejton Adën, i është përgjigjur pozitivisht.

Për këtë arsye ai është federuar me ekipin velipojak për sezonin e ri të kategorisë së dytë dhe ndonëse nuk është në formën e duhur fizike, sërish e ka treguar veten si në rininë e tij. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës, Kaçi jo vetëm ka luajtur por ka shënuar edhe dy gola duke i dhënë fitoren 2-0 Adës ndaj ekipit kryeqytetas Kevitan. Ndodh edhe kështu. I rikthehesh futbollit dhe madje në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky është Albert Kaçi.
© shkodrasport.com