Lajmi për rikthimin e tij në fushën e blertë ka bërë disi bujë. Albert Kaçi vendosi që për një moment të shkëputet nga puna me ekipin e Akademisë Vllaznia ku punon si trajner dhe të luajë me fanellën e Adës në ndeshjen e javës së parë të kampionatit të kategorisë së dytë ku i shënoi dy gola Kevitanit duke i dhënë fitoren 2-0 velipojakëve.
Dikush u habit, të tjerë e morën me humor, por në fund të fundit Kaçi “nuk bëri ndonjë mëkat”. është vetëm 36 vjeç dhe “këmbët i hanë” ende. Bashkëmoshatarët e tij, Belisha, Doçi, Teli e ndonjë tjetër janë mërzitur me futbollin e luajtur dhe tashmë kanë filluar biznesin apo aktivitete të tjera me të cilët argëtohen dhe kalojnë kohën por Berti ndërkohë sërish është fokusuar tek futbolli. I pyetur pse vendosi të rikthehej të luante sërish në fushë, ai do të përgjigjej: “Të them të drejtën çdo gjë lindi spontanisht. Trajneri i Adës është një shoku im, Ersi Çaku i cili më propozoi një gjë të tillë dhe në fakt, edhe për të mos ia prishur atij, i thashë “po”. Mendova se do të ishte njëlloj sikur të shkoja të luajë një ndeshje në kalçeto. Duke qenë shumë aktiv në stërvitje por dhe në ndeshje të tilla, përgjithësisht kam një formë të mirë dhe kjo nuk më pengoi të luaja ndaj Kevitanit dhe madje edhe të shënoja dy gola, ndonëse e mendova shumë më të mirë ndeshjen dhe paraqitjen time. Por duket se “nuk paskam mbaruar ende”. Unë thjesht po luaj sepse e konsideroj futbollin tashmë argëtim dhe përpos kësaj, ai është pjesë e rëndësishme e jetës time dhe nuk mund të qëndroj pa të”. A do të shënojë sërish edhe në ndeshjet e ardhshme për Adën? Përgjigja e Kaçit është e shpejtë: “Do mundohem t’i ndihmoj me aq sa mundem sepse ndoshta nuk do jem i pranishëm në çdo ndeshje, për shkak edhe të angazhimeve që kam me ekipin e fëmijëve që stërvis tek Akademia Vllaznia por me siguri që do ketë edhe gola të tjerë”.
© shkodrasport.com