Me entuziasëm kanë folur të gjithë për Vllazninë e këtij sezoni, por fakti është që ecuria e saj në ndeshjet e fundit i ka befasuar të gjithë. Padyshim që mes tyre që ka të njëjtën ndjesi është edhe ish- futbollisti i saj Albert Kaçi.

Njeriu që ka fituar titullin kampion dhe kupën me këtë skuadër, ka vlerësuar ecurinë e skuadrës në dy fazët e para, por nuk arrin të shpjegojë se çfarë ndodhi me të në këto ndeshjet e fundit.

Vllaznia e sivjetme ka qenë krejt ndryshe nga ajo e sezoneve të fundit. Por ajo që më habit është se ndryshe nga dy fazët e para të kampionatit, në këtë pjesën tjetër nuk po shohim në fushë të njëjtën skuadër.

Diçka ka ndodhur në këtë mes, por nuk di ta them me siguri. Kam dëgjuar që Vllaznia për shkak të disa borxheve në tatime, nuk mund të shkojë në Europë. Ndoshta futbollistët janë ndikuar prej këtij fakti, megjithëse objektivi i vërtetë i skuadrës është fitimi i titullit kampion dhe rikthimi i festës në Shkodër pas 20 vitesh.

Kam dëgjuar e lexuar se e ardhmja e trajnerit pas humbjes me Bylisin ka qenë në dyshim dhe madje u përfol largimi i tij. Unë do të thoshe se trajneri e ka treguar veten se kush është, po ashtu edhe ekipi. Se çfarë nuk shkon, këtë nuk di ta them me siguri.

Megjithatë Vllaznia nuk duhet të heqë dorë nga pretendimet e saj sepse është në lojë si në kupë ashtu edhe në kampionat. Fillimisht duhet të fokusohet tek ndeshja e së mërkurës me Korabin. Nuk duhet ta marrë lehtë kurrsesi e të mendojë se kjo është ndeshje e lehtë.

Duhet vlerësuar maksimalisht për ta kaluar me sukses, e për të menduar pastaj për sfidën e së dielës për kampionat me Kastriotin që është një kundërshtar shumë i vështirë”- ka thënë në prononcimin e tij ish- futbollisti Albert Kaçi./SHKODRA-SPORT.COM/