Dy tituj kampionë të fituar në karrierë (një me Vllazninë dhe një me Elbasan), një Kupë e Shqipërisë me kuqeblutë dhe paraqitje shumë të mira për vite me rradhë. Kjo është karriera e Albert Kaçit, mesfushorit- sulmues i cili për disa vite me rradhë ka spikatur në kampionatin shqiptar.
Prej një viti e gjysëm tashmë ai ndodhet në Angli, teksa vendosi të mos vazhdojë të punojë më si trajner tek Akademia Vllaznia dhe kuptohet që i vjen keq për këtë gjë, megjithatë janë shumë rrethana që e kanë detyruar të largohet.
Në një prononcim për “Shkodra Sport”, Kaçi ka folur për shumë gjëra duke shpjeguar edhe momentet më të lumtur, por njëkohësisht edhe më të vështirat e karrierës së tij.
Karriera si lojtar:
“Ka qenë e vështirë të depërtoje tek ekipi i parë i Vllaznisë në fundin e viteve ’90. Unë jam bashkuar me ekipin e parë të saj në sezonin 2000-2001, kur dihen emrat shumë të rëndësishëm që ishin pjesë e saj në atë vit, U shpallëm kampion, por kuptohet që kontributi im në këtë sukses nuk ka qenë shumë i madh, për vetë moshën e re.
Nuk ka qenë aspak e lehtë të shkruanim emrin tonë tek Vllaznia. Bashkë me Edmond Doçin na ka ndodhur që të mos grumbullohemi fare me skuadrën për të shkuar në fazën përgatitore në fillim të sezonit dhe në vendin tonë shkonin lojtarë që nuk e meritonin. Megjithatë, ulëm kokën, vazhduam punën dhe në fund ia dolëm.
Kam kaluar momente të mira si tek Vllaznia ashtu edhe tek Elbasani. Me këtë të fundit luajta për dy sezone dhe janë momente të paharrueshme. U bashkova me të pas vdekjes së ish- presidentit Myftar Çela dhe në Shkodër kishte pasiguri për të ardhur, prandaj vendosa të ndërroj skuadër. Në vitin e parë kur shkova atje, dolëm nënkampionë dhe një vit më vonë u kurorëzuam kampionë të vendit.
U riktheva më pas tek Vllaznia me të cilën fitova titullin kampion në vitin 2008. Vërtetë isha i lumtur tek suksesi më Elbasanin, por kur fiton një trofe me skuadrën e qytetit ku je bërë sportist, emocionet janë edhe më të mëdha.
Në Shkodër kur bëhesh 30 vjeç mendojnë se je plakur, por futbollisti them se nuk duhet parë tek vitet por tek gjendja fizike dhe ajo çfarë jep në fushë. Këtë gjë tek Vllaznia nuk e kanë parë dhe jo vetëm tek unë, por edhe tek shumë të tjerë.
Duke i bërë një analizë të hollësishme gjithë karrierës time sot, mendoj se nuk kam marrë maksimumin. Ndoshta kur luan, mendon se je duke bërë më të mirën dhe duke dhënë maksimumin, por jo. Mund t’i kisha bërë edhe më mirë gjërat, është dashur të bëja më shumë. Ka ndodhur kështu, kuptohet edhe për fajin tim, por ndoshta edhe të dikujt tjetër”.
Momentet më të bukura të karrierës:
“Janë disa, kuptohet trofetë e fituara, ndeshjet ndërkombëtare, ballafaqimi dinjizoz me Gallatasarajn ku pata një mundësi të artë për të barazuar brenda në Turqi”.
Momentet më të vështira:
“Unë do të cilësoja të tillë kalimet nga një skuadër në tjetrën sepse nuk është e lehtë të përshtatesh me ambjentin e ri. Po ashtu si momente të tilla do të vlerësoja edhe dëmtimet që kam patur gjatë karrierës dhe për fat të keq kam patur edhe disa operacione”.
Karriera si trajner:
“Pasi lashë sportin, kuptohet që bëra zgjedhjen e duhur, atë për të qenë sërish pranë futbollit, por këtë herë si trajner. Në fakt kam patur një dilemë të madhe nëse duhej ta lija futbollin e të bëhesha trajner, apo ta vazhdoja atë. Në fakt, edhe sot e kësaj dite sërish më ngacmon ideja se duhej të isha sërish në fushë duke luajtur. Ndodh kështu sepse shoh që vijnë në Shkodër lojtarë të cilët nuk japin maksimumin e tyre, marrin lekët e ikin.
Më vjen keq për këtë sepse Shkodra është djepi i futbollit të Shqipërisë dhe nxjerr talente pafund. Nëse punohet mirë tek Akademia Vllaznia, por edhe tek Akademitë e tjera të këtij qyteti, jam i bindur se Vllaznia nuk ka nevojë për të blerë asnjë futbollist, nuk ka nevojë për ta kaluar Urën e Bahçallekut për të kërkuar futbollistë. Nëse punohet mirë me to, besoj se nuk do të ketë vend për gjithë ato futbollistë që dalin nga ky qytet çdo vit”.
Jeta në Angli dhe keqardhja nga largimi:
“Edhe pse jam në Angli, mendjen gjithnjë tek futbolli e kam sepse ai është pjesë e jetës time. Megjithatë nuk mendoj se do të kthehem në Shkodër për të vijuar punën si trajner, Aty kam qenë dhe kam parë se nuk kanë shkuar mirë punët, nuk është punuar taman me pastërti. Dikush- dikush ka punuar shumë pastër dhe shumë mirë dhe dikush tjetër jo. Nuk është e mirë që dikush të jetë i nënës dhe dikush tjetër i njerkës. Këto padrejtësi, kuptohet që janë edhe arsyet që të detyrojnë të largohesh prej punës”
© shkodrasport.com