Albi Shpuza është larguar nga Vllaznia. Në fakt, diçka e tillë pritej që pas momentit që ky futbollist nuk u mor në fazën përgatitore, teksa ai kishte pakënaqësitë e tij në lidhje me këtë aspekt.
Sulmuesi shkodran, që gjysmën e sezonit të fundit luajti tek U-21, ka kërkuar largimin nga klubi shkodran dhe duket se ka gjetur marrëveshjen edhe me drejtuesit e klubit. Shpuza ishte i detyruar gjatë kohës së fundit, më konkretisht që nga janari, të stërvitej dhe të aktivizohej me ekipin U-21 të Vllaznisë, edhe pse synimet e tij ishin për skuadrën e parë.
Megjithatë, mos-grumbullimin e tij për në fazën përgatitore, duket se ai nuk e ka pranuar dhe ka kërkuar largimin. Gjatë qëndrimit te Vllaznia U-21 që nga janari i këtij viti, sulmuesi 20-vjeçar u aktivizua në të gjitha ndeshjet, teksa gjeti rrugën e rrjetës katër herë në duele të ndryshme.
Më parë, Shpuza ka qenë pjesë e klubit të Partizanit dhe Dinamos, me moshat e këtyre të fundit. Tashmë, me largimin e Albi Shpuzës nga Vllaznia, mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e tij, teksa nuk mungon interesi nga ekipe të ndryshme, duke nisur që nga Kukësi.
Maringlen ZHIVANI