Në çdo garë dhe kampionat që zhvillohet, ka edhe vlerësime. Kështu ka ndodhur edhe në kampionatin e grupmoshës U15 për Zonën e Shkodrës ku diplomën e sportistit më të mirë e ka marrë futbollisti i Akademisë Vllaznia Albion Kurbasha.
I datëlindjes 10 korrik 2004, ky lojtar ka disa sezone që spikat në kampionatet e moshave në Shkodër dhe jo vetëm. Kjo ka bërë që ai të jetë edhe pjesë e kombëtares U15 duke qenë lojtar formacioni dhe një pikë e rëndësishme e saj.
Edhe në kampionatin e sivjetëm të Ligës Amatore në Zonën e Shkodrës, ai ka spikatur me performancën, lojën dhe golat e tij. Jo më kot, pasditen e djeshme në përfundim të kampionatit është vlerësuar edhe si lojtari më i mirë i tij duke merituar edhe diplomën përkatëse.
Vetë Kurbasha në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” pas këtij suksesi, do të shprehej: “Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua që mora atë çmim i cili do të më inspirojë për të vazhduar më përpara”.
Kurbasha është pjesë e kombëtares U15 por ëndrra e tij e madhe është që një ditë të luajë me kombëtaren e të rriturve dhe po ashtu edhe me ekipin e parë të Vllaznisë. “Grumbullimi edhe me kombëtaren U15 është padyshim një sadisfaksion për mua por dëshira ime është që një ditë të luajë për kombëtaren e madhe dhe po ashtu edhe për Vllazninë”- ka thënë Kurbasha.
© shkodrasport.com