Ditën e sotme, Besëlidhja do të përballet me Tërbunin dhe të dy ekipet kanë si synim vetëm fitoren. Në këtë ndeshje, ekipi pukjan vjen pas humbjes në Kupë ndaj Lushnjës, 2-0, por javën e fundit në kampionat, kanë arritur të fitojnë me rezultatin 2-1 ndaj Tomorit, teksa skuadra pukjane momentalisht renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit me pesë pikë.
Ndërkohë, trajneri i Tërbunit, Alert Alcani, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka folur në prag të ndeshjes së sotme që ata do të kenë me Besëlidhjen. Tekniku i ekipit pukjan ka folur në lidhje me skuadrën e tij dhe objektivat e tyre, teksa tha se ndeshja e sotme është një emocion i veçantë për të personalisht, pasi ka kaluar shumë kujtime në Lezhë.
Po ashtu, Alcani u shpreh se në çdo ndeshje, si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë, e përgatit ekipin vetëm për fitore, ndërsa theksoi se Tërbuni ka ndërtuar një grup cilësor për të përballuar me sukses kampionatin.
“Të them të drejtën, gjithmonë është një emocion i veçantë ndeshja me Besëlidhjen, pasi aty kam kaluar shumë kujtime. Sa i takon lojës, në çdo ndeshje ku unë shkoj, qoftë brenda në shtëpi apo edhe jashtë në transfertë, i kam kërkuar dhe e kam përgatitur ekipin ta fitojë atë ndeshje. Megjithatë, për ndeshjen ndaj Besëlidhjes, kemi një mungesë siç është ajo e sulmuesit Ermir Rezi, por i kam përgatitur të gjithë pjesën tjetër të futbollistëve për të qenë të gjithë të gatshëm.
Realisht, kemi ndërtuar një ekip me futbollistë me përvojë dhe po ashtu edhe me çuna të rinj. Unë them që kemi bërë një grup cilësor për ta përballuar me sukses kampionatin dhe pse jo për të tentuar tre vendet e para. Unë dua të shkoj sa më lart dhe pse jo, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të qenë në tre-katër vendet e para.
Presidenti Gjon Gjonaj është një tifoz që gjithmonë i ka qëndruar afër ekipit dhe gjej rastin ta falënderoj për çdo gjë që bën për Tërbunin, pasi duhen mundësitë ekonomike dhe ato janë të vështira për t’u gjetur gjithmonë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Tërbunit, Alert Alcani.
Maringlen ZHIVANI