Deklaratat para ndeshjes nga ekipi i Shënkollit se do të ishin ata që do ta ndalnin për herë të parë Vllazninë këtë sezon, nga shumëkush u morën si qesharake. Por në fakt kështu rezultoi. Kuqeblutë të parin barazim këtë kampionat e morën dje në këtë fushë.

Trajneri i Shënkollit, Alert Alcani duke folur pas ndeshjes për gazetarët, tha se ndeshja edhe mund të fitohej nga ekipi i tij ashtu si dhe nga ai i Vllaznisë. “Nuk është hera e parë që e ndalim Vllazninë sepse e kemi ndalë edhe në miqësore.

Ishim përgatitur për këtë ndeshje, kuptohet që ishte ndeshje e vështirë kundrejt një ekipi si Vllaznia që është pretendentja kryesore për të dalë në Superligë. Besoj se treguam aftësitë tona, kuptohet edhe me disa gabime që bëmë.

Ka qenë një ndeshje e hapur, atë mund ta fitonte edhe Vllaznia, por mund ta fitonim edhe ne. Gjithsesi nga mënyra si shkoi loja, mund të themi se barazimi ishte rezultati më i drejtë”- është shprehur Alcani.

Vetë trajneri por edhe stafi i tij bënë të ditur se në këtë përballje kishin tre mungesa të rëndësishme. Madje, ata linin të kuptohej se nëse do ishin edhe ata në fushë, rezultati do kishte qenë ndryshe. Të ndodhte vërtetë kështu?!
www.shkodrasport.com