Juventusi ecën pa u ndalur në kampionat dhe për Masimiliano Alegrin ky është vetëm një lajm i mirë. Trajneri i bardhezinjve ka kuptuar se për Serinë A ka pak diskutime në këtë edicion dhe objektivi real do të jetë të fitojë edhe gjithçka tjetër për të cilën luan ekipi i tij, edhe pse pas fitores me Romën ka shmangur euforinë,.

“Nuk kemi fituar ende asgjë, kemi bërë gjëra të mira, por kemi para edhe ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Duam që të jemi para të tjerëve me datë 29. Djemtë kanë bërë një ndeshje të mirë në pjesën e dytë, portieri ka bërë pritje të mira. Deshëm t’i vinim në vështirësi, por duhet të kishim shfrytëzuar më mirë ato raste që krijuam. Në pjesën e dytë kishim më shumë raste, nuk i lejuam asgjë dhe kishim më shumë mbajtje topi”, tha trajneri i Juventusit i cili u ndal te paraqitjet e emrave individualë në këtë sfidë.

“Manxhukiç i pazëvendësueshëm? Mario është një lojtar i rëndësishëm, bujar, edhe në nivelin teknik bën gjëra të rëndësishme. Na jep një dorë në mesfushë. Edhe Dibala u paraqit mirë, na mundësoi që të dilnim kur tërhiqeshim. Por Manxhukiç është i jashtëzakonshëm. Dibala sot ka bërë një ndeshje të bukur, ndoshta ka dalë nga fusha pak i inatosur. Ai është një lloj lojtari i cili na bën të luajmë mirë dhe sot ka bërë një nga ndeshjet e tij më të mira.

Çfarë kemi tani? Atletikon duhet ta përballojmë si këtu, edhe në fushën e tyre. Duhet të jemi gati. Pastaj kemi edhe Superkupën dhe Kupën e Italisë”, tha Alegri, duke lënë të kuptohet se me këtë skuadër do të provojë të fitojë gjithçka. /vipsport/