Juventusi A është përballur sot me Juventusin B dhe trajneri Alegri ka parë gjendjen e lojtarëve të tij.

Sot Kristiano Ronaldo ka arritur të shënojë gol që në ndeshjen e parë me fanellën bardhezi.

Kështu tekniku italian e ka lënë pas modestinë dhe tashmë shprehet i bindur se me këtë skuadër mund të fitojë trofeun e Uefa Champions League.

“Le të themi se klubi ka përmirësuar shumë skuadrën e vitit të kaluar. Por të shtunën e ardhshme, ndaj Kievos, duhet të vrapojmë, duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë ndeshje pasi në fund të fundit kjo është ajo që ka rëndësi.

Është normale me një skuadër që ka arritur shumë rezultate dhe këtë vit më shumë se të tjerët kemi ambicien për të kërkuar të fitojmë Ligën e Kampioneve. Bonuçin e pashë mirë, them se është një lojtar me eksperiencë që ka rritur nivelin teknik të mbrojtjes.

Sa i përket Ronaldos, më kishin thënë që është i profesionist i madh, por rezultatet nuk i vijnë rastësisht.

Një lojtar që ka fituar 5 herë ‘Topin e Artë’ dhe shumë herë klasifikimin e golashënuesve, por edhe në gjërat e vogla kërkon të fitojë, është tregues i qartë se Juventusi ka blerë një lojtar të madh në fushën e lojës, por sidomos jashtë saj”.- tha Alegri duke shprehur qartë synimet e skuadrës së tij në këtë sezon.