Legjenda angleze, Alan Shearer u zemërua nga situata që përfshin penalltinë e Julian Alvarez në ndeshjen e 1/8-tës ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Real Madridi kaloi Atletico Madridin në fazën e 1/8-tës së Ligës së Kampionëve, duke fituar 4-2 në penallti, në një ndeshje që pati shumë polemika.
Gjatë gjuajtjes së penalltive, sulmuesi i Atleticos, Julian Alvarez rrëshqiti para goditjes së tij dhe preku topin me të dyja këmbët.Edhe pse arriti të shënonte, arbitri Szymon Marciniak, pasi u konsultua me VAR-in, e anuloi golin duke e cilësuar si të pavlefshëm.
Ky rast ka bërë gjithë botën të flasë tash e disa ditë dhe i fundit që i është bashkuar kësaj ‘valle’ është legjenda angleze, Shearer.
“Unë e kam parë penalltinë e Alvarezit mbi 100 herë dhe ende po përpiqem të gjej prova të pakundërshtueshme që ai preku topin dy herë”, ka thënë fillimisht ish-sulmuesi i Anglisë.
“Është absurditet i plotë që një moment i tillë mund të vendosë rezultatin e një ndeshjeje të këtyre përmasave”, përfundoi Shearer. /Telegrafi/