Vllaznia u rikthye në elitën e futbollit shqiptar pas një sezoni negativ në Kategorinë e Parë që përkoi njëkohësisht edhe me 100-vjetorin e themelimit të klubit. Këtë sezon, të gjithë në Shkodër presin që gjërat të jenë ndryshe dhe të bëhet merkato cilësore, pasi vetë portieri Alen Sherri e ka pranuar se aktualisht skuadra nuk është gati për Superioren.
Në një intervistë për “VipSport.al”, gardiani shkodran u shpreh se skuadra duhet të mësojë nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe të mos i përsërisë më. Sakaq, Sherri është ndalur edhe te mungesa e tifozëve për të cilët ka edhe një thirrje.
Pas një sezoni me shumë vështirësi, çfarë prisni nga sezoni i ardhshëm?
Ishte një sezon i mirë ky që kaloi. Sezonin e ardhshëm presim që të mos lundrojmë në ujëra të turbullta dhe të luftojmë në fundin e tabelës. Duam që të jemi sa më lart në klasifikim dhe këtë pjesën e fundit, as të mos e mendojmë.
A është e gatshme Vllaznia për të bërë një sezon të madh në Superiore?
Mendoj se me ekipin aktual nuk është e gatshme për Superiore, por duhen bërë ndërhyrje aty ku klubi e sheh se duhet bërë. Mendoj se Vllaznia është ekip me emër të madh dhe mund të tërheqë futbollistët. Klubi duhet të investojë pasi çdo vit po shihet se klubi që po bën më shumë investime, po fiton edhe titullin kampion.
Çfarë duhet bërë ndryshe për të mos pasur të njëjtin fat si sezonin e fundit?
Duhet të mësojmë nga gabimet e bëra pasi nëse nuk mësojmë nga ajo q kemi gabuar, përsëritet historia. Duhet të nxjerrim mësime. Kambanat po binin 2 vite më parë, por tani është momenti që nuk ka më kohë dhe duhet që të reagojmë.
Shumë lëvizje ne kampin e Vllaznisë. Ku do ta shohim Sherrin sezonin e ardhshëm?
Për momentin as unë nuk e di të ardhmen time. Kam edhe një vit me ekipin e Vllaznisë dhe kushdo që interesohet për mua, duhet të flasë fillimisht me klubin pasi kam ende kontratë.
Duke qenë se po luani në stadium bosh, si mund të fitoni sërish tifozët?
E vetmja mënyrë si mund të fitojmë tifozët shkodranë, është duke zhvilluar ndeshje të mira dhe me renditje të mirë. Nëse këto dyja realizohen, tifozët do të rikthehen. Në fakt, edhe tifozët kanë pjesën e tyre pasi duhet të qëndrojnë afër ekipit. Nëse ata janë, edhe ekipi është më mirë dhe shpresoj që duke filluar nga sezoni tjetër, tifozët të jenë më të shumtë pasi janë përkrahje për ne dhe në fund të fundit, për tifozët luhet futbolli.
A ke ndonjë premtim për ta?
Nuk kam qejf të bëj premtime dhe gjërat pastaj të dalin ndryshe. Duhet të premtojmë që secili ka për detyrë të japë maksimumin sa herë vesh fanellën e Vllaznisë dhe ky është premtimi i vetëm që mund t’i japim tifozëve shkodranë./VipSport/